Masakra në Shkodër, flasin dëshmitarët. Policia: 500 mijë lekë për kokën e Miklovan Parubit
Policia jep 500 mijë lekë për personin që ndihmon n ë arrestimin e autorit të masakrës së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër.
Policia e Shkodrës informoi sot se kërkimet janë shtrirë në zonën e Nënshkodrës me qëllim kapjen dhe vënien para drejtësisë së autorit të ngjarjes.
“Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se ofron një shpërblim prej 500.000 lekë, për çdo informacion që çon në saktësimin e vendodhjes së autorit të ngjarjes duke siguruar anonimatin. Për çdo të dhënë mund të kontaktoni në çdo kohë në numrat e telefonit 069 41 01 985 dhe 069 41 02 060, por dhe në numrin 129”.
Dëshmitarët
Një ditë pas masakrës në Dajç ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën katër të tjerë, dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje rrëfejnë krimin e rëndë.
Sipas tyre, autori i dyshuar për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e katër personave të tjerë kishte konsumuar alkool përpara se të lëshonte breshëri automatiku mbi personat në lokal.
Mësohet se ai kishte pirë me një nga personat që mbetën të plagosur, shtetasin Ndok Marku.
Ky i fundit dyshohet të ketë qenë dhe objektivi i vrasjes, pasi sipas dëshmitarëve Parubi kishte pasur një përplasje më parë me Ndok Markun.
Dëshmitarët tregojnë se Miklovan Parubi pasi ka hyrë në lokal u ka thënë: ‘Do u vras të gjithëve!’
Në këtë moment mësohet se viktima Arjet Saiti ka tentuar t’i heqë armën nga dora, por është qëlluar për vdekje. Nga të shtënat mbeti i vdekur në vend dhe Gacalin Kopshti.
KOHA JONË SONDAZH

