Masakrat në Serbi po japin model të keq, një i ri shkakton panik në një shkollë të Tiranës
Masakrat në Serbi, me 17 të vrarë në 48 orë, nga një 14-vjeçar dhe 21-vjeçar, kanë tronditur jo vetëm popullin serb, që është zi kombëtare, por edhe Europën, duke vënë në pikëpyetje brezin e ri. Lajmet janë përhapur edhe në Shqipëri. Ngjarjet duket se po kthehen menjëherë në një shembull të frikshëm.
Një 20-vjeçar është proceduar penalisht nga policia e Tiranës, pasi ka qëlluar në ajër me një pistoletë imituese të zhurmës së armëve në një shkollë në Farkë. 20-vjeçari është futur në oborrin e shkollës në zonën e Farkës dhe ka qëlluar me “armën imituese” duke shkaktuar panik.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. Sh., 20 vjeç, sepse më datë 04.05.2023, në oborrin e një shkolle, në Farkë, Tiranë, ka qëlluar në ajër, me një pistoletë imituese të zhurmës së armëve. Pistoleta imituese u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.