Masakroi prindërit, 29-vjeçari nga burgu në psikiatri. Mjekët: Vuan nga…
Redjon Shylla
Opinioni publik do tu trondiste nga krimi makabër i 29 qershorit në Xhafzotaj të Durrësit. Atë mëngjes, 29-vjeçari Leo Nika, do të zbraste plumbat e çiftes mbi trupat e prindërve të tij por ku nuk ka kaluar ende një muaj nga ngjarja e rëndë, ai do të lërë qelinë për tu shtruar në spital burg.
Është ky vendimi që ka marrë Gjykata e Krimeve të Rënda, ku urdhëroi shtrimin e detyruar në spital të Nikës nën akuzën e vrasjen e prindërve të tij Aliut dhe Junijes. Por pse Nika do të lërë burgun për tu shtruar në një spital burg? Sipas organit gjykues, referuar akt-ekspertizës psikike në të cilën si konkluzion ka që i riu vuan nga çrregullimet mendore.
Referuar ligjit, ai nuk mund t’i nënshtrohet gjykimit përderisa është i papërgjegjshëm para ligjit. Gjatë shqyrtimit të masës së sigurisë problemet mendore të 29-vjeçarit u pretenduan në gjykatë edhe nga avokati i tij. Mbrojtësi i tregoi gjykatës se prej vitesh, vrasësi i dyfishtë, kurohej me antidepresivë në formë ambulatorë.
Ai i qëlloi me armë prindërit menjëherë pasi u zgjua nga gjumi, ndërkohë që më pas duke pohuar se nuk mbante mend asgjë, i pyeti gjyqtarët se përse i kishte vrarë prindërit e tij. Po në cilin spital burg, do shtrohet 29-vjeçari. Mësohet se ai do të dërgohet si të tjerët në burgun e Zaharisë, edhe pse ky institucion është kontestuar vitet e fundit.
Çrregullim psikotik
Sipas ekspertizës psikike, Nika vuan nga një çrregullim psikotik, ç’ka e bën atë të papërgjegjshëm para ligjit. Ai vuan nga paranoja dhe gjatë rrëfimit 29-vjeçari ka qenë nën ndikimin e çrregullimit të mendimit dhe percepsionit.
“Nika vuan nga sëmundje të shëndetit mendor.Vuan nga diagnoza çrregullim psikotik, i paspecifikuar, sëmundje e cila ka dëmtuar gjykimin dhe ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor, pa qenë në gjendje të kuptojë dhe kontrollojë veprimet e tij. Aktualisht prezantohet me çrregullime të rënda të mendimit (deluzione paranoide dhe bizarre), çrregullime të percepsionit si dhe element disociativ. Nika nuk është i përgjegjshëm para ligjit, pasi sjellja dhe gjykimi i tij kanë qenë plotësisht nën ndikimin e çrregullimit të mendimit dhe të percepsionit. Nika ka qenë i papërgjegjshëm përpara ligjit, pasi vepra ka qenë nën ndikimin e sëmundjes. Për të rekomandohet masa mjeksore e mjekimit të detyruar spitalor”,-thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Ngjarja
I papunë dhe i pashpresë Nika tregoi se donte të kthehej në Itali dhe për këtë paratë ua kërkonte vazhdimisht prindërve. Por i ati dhe e ëma ia kanë refuzuar ndihmën, pasi ai kishte provuar më parë, por pa sukses emigracionin. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 29 qershorit të këtij viti, ku 29-vjeçari me armë gjahu, vrau prindërit. Hetimet treguan se debatet në familjen Nika kanë qenë të vazhdueshme për shkak të pamundësisë së djalit për të siguruar të ardhura dhe mbajtur familjen.

