Masat kundër koronavirusit/Qytetarët binden më shumë, ulet numri i gjobave

Masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri kanë nisur të zbatohen më shumë nga qytetarët dhe kjo reflektohet edhe në numrin e gjobave të vëna nga policia.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 111 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, në orët e pasdites, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 20 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative.

Ndërkohë, në Elbasan është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.70 mg/l.

SHKARKO APP