Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, Majlinda Bregu nuk përjashton pezullimin e liberalizimit të vizave

“Masat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës nuk do të kenë efekt për takimet që do të organizojë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal”, tha Majlinda Bregu. Në një intervistë në emisionin “Pa Censurë”, ajo konfirmoi vullnetin e saj për të trajtuar Kosovën si të barabartë, por nuk mund të sigurojë se kjo do të zbatohet edhe për takimet e bashkëorganizuara me BE.

“Kosova është anëtare e Këshillit (RCC). Ne do të ftojmë Kosovën në çdo format dhe aktivitet që organizohet nga RCC. Në rast se jemi bashkë-organizues me BE, siç ndodhi në takimin e para dy ditëve për ‘Europën Dixhitale’, do të këmbëngulim në të drejtën tonë për të pasur të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal prezente në takim”,-tha Bregu.

Nga ana tjetër, e pyetur nëse acarimi i marrëdhënieve mund të përshkallëzohet drejt anulimit të liberalizimit të vizave, Bregu tha “Shpresoj që jo, për shkak të rikthimit të dialogut dhe respektimit të marrëveshjeve të nënshkruara mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e BE. Këtë e kanë në dorë vendet të cilat duhet të rikthehen në tryezën e Dialogut, Kosova dhe Serbia”.

SHKARKO APP