MASHT: Ministrja e PD nuk është ankuar për akomodimin në Gjakovë
Lajmi se Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina, ka pasur ankesa mbi akomodimin në një nga hotelet e Gjakovës, me rastin e punimeve të Seminarit mbarëkombëtarë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, është hedhur poshtë edhe nga Ministria e Arsimit e Kosovës.
Në një reagim mbi këtë lajm për Ministren Teknike, MASHT sqaron se akomodimi është bërë në koordinim të përbashkët ndërmjet dy ministrive përkatëse dhe nuk ka pasur vërejtje nga ana e Ministres Karabina.
“Lidhur me këtë, sot ministrja Karabina ka sqaruar edhe zyrtarisht përmes një shkrese dërguar kabinetit të ministrit Bajrami se çdo gjë ka qenë në rregull gjatë qëndrimit të saj në Kosovë dhe se përfoljet në media dhe portale lidhur me akomodimin nuk janë të sakta”, thuhet në sqarimin e MASHT-it.

