Mashtrimi i biznesmenëve nga rrjetet sociale, u morën mbi 400 mijë euro

Biznesmenë të njohur në kryeqytet, janë mashtruar nga një grup personash duke iu marrë shuma të mëdha parash, në emër të zyrtarëve të lartë në vend. Prej janarit, njësia “E” për hetimin e krimeve ekonomike në Policinë e Shtetit zbuloi 5 raste të përfitimit të parave nëpërmjet mashtrimit.

Lidhur me këtë skemë, ku u morën mbi 400 mijë euro janë vënë në pranga 12 persona, si dhe janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë. Njëri prej tyre, i identifikuar si Florian Gjergji, personi që shihni në këtë foto, konsiderohet si koka e grupit, që arriti të manipulojë biznesmenët në Tiranë.

Rasti i parë u regjistrua në 7 Janar dhe u arrestuan tre të rinj nga Shkodra. Ata i morën një biznesmeni të njohur shumën prej 130 mijë Eurosh. Tre ditë më vonë u ndaluan edhe 3 të tjerë, pasi futën në grackë, një biznesmen në Kamëz, duke i marrë 13 mijë Euro. 1 muaj më vonë, në 13 Shkurt, në operacionin “Tentativa”, u arrestuan edhe tre të tjerë, pasi përfituan 90 mijë euro.

Nisur nga denoncimet e biznesmenëve që çuan në zbulimin e këtyre rasteve, mashtruesit ndaluan aktivitetin e tyre për tre muaj me radhë. Në 6 Maj u prangosën babë e bir, pasi i morën një biznesmeni në Tiranë 100 mijë euro.

Pavarësisht kësaj një tjetër u vu në pranga në 16 Maj, pasi një biznesmeni arkitekt i mori 70 mijë euro. Përveç rastit të Janarit, katër rastet e tjerë, dyshohet se janë ideuar nga Florian Gjergji. Sipas burimeve të Klan News, 39-vjeçari ndodhet në Gjermani, ku prej andej ka organizuar të gjitha skemat e mashtrimit.

Gjergji, duke përdorur aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, iu prezantohej biznesmenëve kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore. Të arrestuarit, të cilëve iu vunë pranga teksa tërhiqnin paratë, para policisë kanë mohuar akuzat. Ata janë shprehur se do paguheshin për veprimin, dhe paratë do i dorëzonin tek persona të tjerë.

SHKARKO APP