Mashtruesi që po zhvat biznesmenët? Ja çfarë fshihet pas reagimit të Ramës, zbardhen detajet
Sot kryeministri Edi Rama paralajmëroi qytetarët se një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit për të dërguar mesazhe të rreme, po dëmton qytetarët shqiptarë. Rama i bëri apel qytetarëve që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre lojërave kriminale.
Por për çfarë konkretisht e ka fjalën kryeministri Edi Rama dhe kush është personazhi që ‘e detyroi’ të bënte këtë reagim. Florian Gjergji është personi i kërkuar nga policia për shkak të skemave të njëpasnjëshme të mashtrimit, ku pre e këtyre skema kanë rënë zyrtarë të lartë dhe biznesmenë. Në rastet e indentifikuar deri më sot Gjergji prezantohet si zyrtar i lartë dhe iu kërkon para atyre. Mashtrimi bëhet përmes aplikacioneve Telegram dhe Viber ku kopjohen numrat dhe emrat e zyrtarëve të lartë. Deri më tani janë arrestuar disa prej bashkëpunëtorëve të Gjergjit, ndërsa ky i fundit dyshohet se është jashtë vendit, por ka qenë e pamundur të lokalizohet.
Më herët Euroneës Albania ka mësuar skemen e përdorur nga grupi i mashtruesve të drejtuar nga Florian Gjergji, të cilët tentuan t’i merrnin një shumë prej 35 mijë euro një biznesmeni në fushën imobilare. “Si je, jam kryetari i Bashkisë së Vlorës, më duhen 35!”- Ky është mesazhi që ka mbërritur në telefonin e biznesmenit me inicialet G.Ç, në një aplikacion komunikimi online. Po ashtu Euronews Albania ka siguruar edhe dosjen e mashtrimit të një biznesmeni në Elbasan, të cilit i kanë marrë rreth 100 mijë euro duke iu prezanuar si ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Viktimë e mashtrimit ka qenë biznesmeni Flamur Rushi. Sipërmarrësit i mbërriti një mesazh në Viber nga një numër që pretendonte se ishte Taulant Balla, ku i kërkonte me urgjencë një shumë prej 100 mijë eurosh.
Rushi deklaroi për hetuesit se duke qenë se ka një miqësi me ministrin e Brendshëm ka vendosur t’ia japë shumën e kërkuar. Ai thotë se paratë i është kërkuar t’i dorëzojë tek një taksi pranë një spitali privat në Tiranë.
“Në deklarimin dhe kallëzimin e tij shtetasi Flamur Rushi kallëzon se: “Eshtë paraqitur në polici pasi do të bëje kallëzim, pasi në datë 01.05.2024, në aplikacionin Viber, e ka kontaktuar një person me emrin Taulant Balla, i cili fillimisht i ka dërguar mesazh dhe më pas e ka telefonuar 2 herë nëpërmjet Viber, por nuk i është përgjigjur pasi nuk dinte ta përdorte Viber. Më pas kontakti me emrin “Taulant Balla” (+355683878**), i ka dërguar mesazh duke i thënë “¡am në nje drekë”, “ma mbaron një porosi”, “do kaloj një miku andej jepja 100 mijë euro dhe rregullohemi”. Flaumri i ka kthyer mesazh duke i thëne “Ok”, “të flasi me mua” Kontakti “Taulant Balla”, i ka kthyer duke i thënë “ok po telefonon pas pak”. Kjo bisedë ështē zhvilluar rreth orës 14:00 me anë të mesazheve. Më pas Flamuri ka komunikuar me telefon me një shtetas i cili posedonte numrin e telefonit 0683649192 dhe i ka thënë se po e priste në Librazhd, ndërsa ai ia ka kthyer duke i thënë se vonohej se kishte punë në Elbasan, ku më pas nuk u komunikua më me këtë shtetas pasi fiku telefonin. Rreth orës 17:00 po i njëjti kontakt me emrin *Taulant Balla, i ka dërguar përsëri mesazh duke i thënë “u lidhe me të”, Flamuri iu përgjigi duke i thëne “po po e pres po vi unë në Tiranë” dhe ndërkohë ai iu përgjigi duke i thënë “faleminderit, nga e diela të bëjë telefon, hajmë ndonje drek”, thuhet në dosje.