Maska me detyrim që nga dita e enjte, ish-ministri i Shëndetësisë: Masa ishte e vonuar, nuk ka vend për politikë
Ish-ministri i Shëndetësisë Gjergji Koja i ftuar në Fax News foli ne lidhje me masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së pandemisë së Covid-19, ku maska në mjedise të hapura duke filluar që nga dita e enjte do të bëhet me detyrim.
Koja tha se kjo është një masë e vonuar dhe sipas tij duhet të ishte ndërmarrë më herët, ndërkohë që shtoi se përderisa nuk ka një vaksinë kundër virusit, distanca fizike higjiena personale si dhe maska janë të vetmet masa që na mbrojnë.
Po ashtu Koja theksoi se maskat kanë rezultuar të efektshme në minimizimin e kurbës së infeksionit, minimizimit të transmetimit dhe minimizimit të uljes së fataliteteve.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm në gjithë sfidën e njerëzimit me këtë pandemi, sepse tashmë prej kohësh ka gjunjëzuar planetin dhe vazhdon që të jetë agresiv pa njohur stine, tashmë që ende nuk ka edhe një vaksinë.
Nuk di një shtet tjetër të ketë marrë ndonjë masë ku nuk përfshihet mbajtja e maskës dhe nga e rekomandueshme është bërë e detyrueshme. Sipas mendimit tim kjo masë është e vonuar. Derisa nuk ka asnjë vaksinë kundër virusit, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për tu mbrojtur, maskë, distancim dhe higjiene personale.
Maskat kanë rezultuar më të efektshme për sa i përket minimizimit të kurbës së infeksionit, minimizimit të transmetimit dhe minimizimit të uljes së fataliteteve.
Erdhi momenti që u bë e detyrueshme sepse po shikojmë kurbën në rritje të rasteve, jo vetëm në Shqipërisë, por edhe në vendet fqinje. Mali i Zi e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës, edhe Kosova po ashtu, Italia.
Këtu nuk është më vendi as për të bërë politikë asgjë, as për të marrë as për të lënë vota me Covid-19, kjo është e vetmja gjë që na mbron.
Ju kujtoj virologun e njohur amerikan Fauccin, i cili ka thënë nëse populli amerikan të mbajë maska sot ju jap Amerikën pa Covid. Maska e ul transmetueshmërinë e infeksionit me 60% dhe kështu fitojmë më pak fatalitet, derisa të dalë vaksina.“- tha Koja.