Maskat me detyrim, epidemiologu: Fëmijët deri në klasë të pestë nuk do i mbajnë
Vendimi i qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskave ka ngritur shumë pikëpyetje. Epidemiologu Artan Simaku ka zbuluar disa prej pikave të cilat do të sqarohen më tej gjatë javës. Ai thotë se do të aplikohet i njëjti rregull si nxënësit në fillore ku nuk do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskave për fëmijët deri në klasën e pestë.
“Ky vendim është marrë tani pasi jemi në stinën e vjeshtës ku qarkullojnë viruese të ndryshme stinore. Duhet evituar dhe karantina e plotë pasi do të ishte e dëmshme për ekonominë. Për fëmijët deri në klasën e pestë nuk do e kenë të detyrueshme ndërsa për kategorinë e personave me sëmundje të mushkërive që e kanë të vështirë mbajtjen. Për këtë kategori duhet të ketë një vërtetim nga mjeku i familjes”,-tha Simaku.
Duke parë agresivitetin e virusit gjatë kohëve të fundit, epidemiologu Simaku deklaroi se maska mund të jetë e detyrueshme deri në muajin mars të 2021. Kjo për shkak se stina e vjeshtës gjithashtu rrit dhe rastet me grip, por ai thotë se gjithçka do të vijojë në bazë të disa indikatorëve.
“Për çdo njësi shërbimi janë hartuar protokolle të veçanta që marrin parasysh distancat fizike, përgjysmim të kapaciteteve. Duke patur parasysh eksperiencën me gripin gjatë viteve të kaluara, deri në mars do të mbahet. Më pas ky vendim do të jetë në shqyrtim. Janë një sërë indikatorësh që duhen marrë parasysh”,-tha epidemiologu.