Mas@kra me 3 të vr@rë ende pa autor, gjyshja e Gledisit në lot: Punonte për bukën e gojës

Të shtunën banorët e Memaliajt u zgjuan me lajmin e rëndë të vrasjes së tre personave dhe plagosjen e një tjetri, teksa ndodheshin në lokal pas orës 23:00 të së premtes. Plumbat që dyshohet se dolën nga tre armë, kapën atë që mendohet se ishte objektivi, 74-vjeçarin Shyqo Kalemin, por edhe dy persona të tjerë që nuk kishin asnjë lidhje me sagën e hakmarrjeve. Kamerierin e lokalit Gledio Muka 36 vjeç, dhe një nga klientët, Marsel Çela 47 vjeç. I plagosur mbeti edhe vëllai i Kalemit, i cili ndodhet në spital.

Deri më tani janë kryer mbi 25 kontrolle, ndërsa kupola e Drejtorisë së Përgjithshme, për ndihmë, është atashuar në Gjirokastër. Vrasja e trefishtë dyshohet se vjen si pjesë e sagës së hakmarrjes ndaj Andrea Kalemit, djalit të viktimës Shyqo Kalemi. Ai është i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022, që më parë gjatë 2022 dyshohet se kishte eliminuar me eksploziv Aleksandër Sadikajn. Sadikaj rezulton të jetë kushëri i vëllezërve Kalemi.

Nusja e xhaxhait të Gledis Mukës tha se kërkojnë drejtësi për djalin e tyre. Ndër të tjera ajo tha se 36-vjeçari punonte prej një viti në lokalin e Shyqo Kalemit. “Duam drejtësinë që na e vranë djalin pa faj. Nuk bënte punë të tjera, gjithmonë ka punuar atje, i ndershëm dhe punëtor. Kishte një vit që punonte atje. Djali ishte i pafajshëm, mezi e kemi rritur. Duam drejtësi”,-tha ajo.

Gjyshja e Gledisit nuk i mban lotët për nipin, ku kërkon drejtësi. ”Nuk e prisnim ta vrisnin. Punonte atje kamarier, për bukën e gojës. Pse ma vranë djalin. E kishin lënë punën, po rrinte atje se ishte vapë. Kërkojmë të drejtën e djalit. Pse na e vranë. Çfarë u bë. Djalë i vetëm, i mori jetën djalit”.

SHKARKO APP