Massafra mesazh solidariteti për plagosjen te xhamia në Tiranë: I tronditur

Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Angelo Massafra ka reaguar për sulmin me thikë të ndodhur sot në xhaminë “Dine Hoxha” te Rruga e Kavajës në Tiranë.

Në mesazhin e tij drejtuar kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, imzot Massafra thekson se është i tronditur për ngjarjen dhe shpreh solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri. Ai shpreson që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejt dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e Dine Hoxhës në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë na ka tronditur të gjithëve. Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri. I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, shkruan Massafra.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?