Materniteti ”Koço Gliozheni”: Dëmet jo në strukturë, nënat dhe bebet janë të sigurt
Materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë përgënjeshtron Partinë Demokratike që përmes ish-deputetit Bardh Spahia, tha se ky institucion ka pësuar dëme nga tërmeti dhe situata është mbajtur e fshehtë. Përmes një postimi në facebook, materniteti thekson se ka nisur puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e tërmetit dhe bëhet fjalë për dëme të rekuperueshme dhe jo dëmtim në strukturë. Më tej, materniteti thekson se nuk ka vend për panik dhe se nënat dhe fëmijët që po marrin shërbim në këtë spital janë të sigurt dhe nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve.
“Në maternitetin ”Koço Gliozheni” ka nisur puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e tërmetit. Por bëhet fjalë për dëme të rekuperueshme dhe jo dëmtim në strukturë. Drejtoria e materniteti ”Koço Gliozheni” bën me dije për qytetarët se puna aty vazhdon normalisht. Nënat dhe fëmijët që po marrin shërbim në këtë spital janë të sigurt dhe nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve”, thuhet në reagimin e plotë.
Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia, publikoi sipas tij aktin e konstatimit të Institutit të Ndërtimit, ku theksohet se godina nuk ka dëmtime në strukturë por çarje dhe plasaritje që duhet të riparohen pasi nëse ka lëkundje të tjera mund të krijojnë shkëputje apo zhvendosje. Spahia akuzon se raporti po mbahet i fshehtë dhe dëmet po mbulohen me çarçafë.
”Në aktin e ekspertimit, thuhet se për shkak të tërmetit, përveç dëmeve në godinën bazë, ka probleme serioze në shtesën 4 katëshe dhe këshillohet ndërhyrje e menjëhershme, sepse lëkundje të tjera mund të sjellin shkëputje të shtesës! Pra situata është tejet serioze. Çfarë bën shteti i papërgjegjshëm? Përveç se e fsheh sepse nuk është raportuar në asnjë nga informacionet që Bledi Çuçi nxjerr dy herë në ditë, shikoni zgjidhjen mesjetare që i jepet. Të çarat mbulohen me çarçafë operatorë. Këtu kalohen kufijtë e papërgjegjshmërisë dhe hyhet në kufijtë e një vepre kriminale. Sa të sigurt mund të jenë pacientët e personeli mjekësor në këtë ndërtesë, ku dëmet e tërmetit thjesht mbulohen me carcafë, e nuk ndërhyhet për të siguruar godinën, e sidomos kur nuk raportohet publikisht si dëm serioz?”,-denoncon ish-deputeti demokrat.
Nga ana tjetër, mësohet se ka përfunduar riparimi i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Durrësit, pas dëmeve të lehta që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit. Tashmë reparti i Urgjencës funksionon me kapacitet të plotë. Tërmeti i fuqishëm nuk shkaktoi dëmtime në strukturë por vetëm në pjesët e mureve. Më shumë se 3 mijë vizita dhe trajtime mjekësore janë kryer nga ekipet e posaçme mjekësore për qytetarët e prekur nga tërmeti, të cilët janë sistemuar përkohësisht në kampet e emergjencës dhe hotele. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se në në Shijak, ekipe mjekësore të zonës si dhe mjekë familje të ardhur nga Tirana dhe Durrësi po mbulojnë shërbimin shëndetësor dhe vaksinimin në kampin e emergjencës.