Materniteti ”Mbretëresha Geraldinë”, PD: Akt i paligjshëm, Rama po shkatërron trashëgiminë për të vjedhur

Partia Demokratike përmes Albana Vokshit, thotë se shembja e maternetit ”Mbretëresha Geraldinë” është një akt antiligjor, duke shtuar se në ditët e fundit të pushtetit kryeministri Edi Rama po fakton se ai është kundër interesit të qytetarëve dhe se prioritet i tij është vetëm grabitja e pasurive publike dhe e taksave të shqiptarëve.

“Shembja makabre e maternetit Mbretëresha Geraldinë është gjithashtu një akt antiligjor. Kjo godinë është një vepër e trashëgimisë kulturore, por, njësoj si Teatri Kombëtar, ajo tani është një provë më shumë se në 25 prill qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë duhet ta largojnë këtë qeveri të shkatërrimit, të dështimit dhe të korrupsionit.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, një prej ndërtesave simbol të kujtesës së kryeqytetit dhe e mijëra e mijëra prindërve, u shkatërrua pa marrë në konsideratë mendimin e asnjë eksperti. Materniteti u listua si monument kulture që në 2004 dhe u shpall monument kulture i kategorisë së dytë, në vitin 2007 me firmën e ministrit të Kulturës së asaj kohe, Bujar Leskaj. Kjo ndërtesë është pjesë e qendrës historike të Tiranës, me mbrojtje të posaçme.

Për ketë ka firmën e vet edhe kjo qeveri dhe ky kryeministër, që sot po e shkatërrojnë për përfitime të paligjshme. Në listën e publikuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i krijuar në 2018-ën, materniteti mban numrin 214 në listën e monumenteve të kulturës.

Është e qartë pra si drita e diellit se Edi Rama dhe qeveria e tij kanë prishur një monument të kulturës së kategorisë së dytë, të mbrojtur që nga viti 2004 e në vijim nga një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore. Për këto akte kriminale, Edi Rama, ministrja e tij e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kushdo tjetër i përfshirë, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale”, u shpreh Vokshi.

SHKARKO APP