Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Manastirliu: Së shpejti me dy salla të reja lindje

Maternitetit ”Mbretëresha Geraldinë” do i shtohen së shpejti edhe dy salla të reja që do të presin lindjen e bebeve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ka kryer sot një inspektim në këtë maternitet, ka parë nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin e ambienteve të tij. Ministrja shprehet se dy sallat e reja që po rikonstruktohen në pavijonin e tretë gjinekologjik në këtë maternitet do të kenë standarde bashkëkohore për të ofruar shërbim të denjë për nënat dhe fëmijët që do të vijnë në jetë.

“Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për rikonstruksionin e pavijonit të tretë gjinekologjik në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Shumë shpejt 2 salla të reja, me kushte moderne dhe standardet më të mira do të jenë gati për të pritur lindjen e bebeve”,-shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prej kohësh ka në fokus shëndetin e nënës dhe të fëmijës. Për këtë qëllim janë ndërmarrë edhe mjaft investime për përmirësimin e infrastrukturës spitalore në maternitete. ”Punojmë çdo ditë për përmirësuar shëndetin e nënës dhe fëmijës”.

30,067 bebe kanë përfituar bonusin deri në fund të tetorit të vitit 2019. Shifra është publikuar nga kryeministri Edi Rama i cili me anë të një video të postuar mëngjesin e sotëm ka ndarë momentet e lumtura dhe emocionet të disa nënave të reja që përveç gëzimit të lindjes së fëmijës, lumturohen edhe nga ndihma ekonomike. ”Kam lindur fëmijën e parë në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, jam shumë e kënaqur për bonusin e bebes. Me personelin jam shumë e kënaqur. Bonusi është një ndihmë shumë e madhe. Fëmijën e tretë e kam gocë dhe jam shumë e lumtur për çekun 1 milion e 200 mijë. Për mua dhe për të gjithë qytetarët, i lehtëson dhe i ndihmon shumë”.

Disa muaj, më parë, për herë të parë materniteti Mbretëresha Xheraladinë ka zhvilluar një klasë prenatale me nënat shtatzënë dhe ekipin e mjekëve gjinekologe në ambient të hapur, tek reja dhe falas në mënyrë që nënat të jenë të lirshme dhe të pyesin për gjithçka. Mund të marrin informacion mbi ecurinë e shtatzënisë, problemet e saj, lindjen dhe si te sillen me beben. Kjo ide është mirëpritur dhe vlerësuar shumë nga nënat e reja shtatzënë të cilat gjatë vizitave që bëjnë tek gjinekologët që i ndjekin, nuk kanë mundësi të marrin shpjegim për çdo paqartësi që kanë apo të heqin dhe frikën kur janë në muajt e fundit të shtatzanisë dhe do të përballen me krijesën e tyre. ”Normal që kam frikë, por duke ndjekur këto klasa prenatale besoj se do përgatitem më mirë”, thotë njëra nga nënat. Ekipi i mjekëve gjinekologe në maternitetin Mbretëresha Xheraldinë pret numrin më të lartë të lindjeve në Shqipëri. Çdo vit në këtë maternitet priten 7000 lindje.

SHKARKO APP