Matura Shtetërore 2024, rreth 28 mijë nxënës testohen sot në provimin e gjuhës së huaj

Rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, nisin sot provimin e parë të Maturës Shtetërore.

Përmes një video, Ministrja Manastirliu shprehu urimet më të mira dhe inkurajon maturantët që sot nisin këtë etapë të rëndësishme të jetës së tyre me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj, e më pas me gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe lëndët me zgjedhje.

“Sot është një ditë e rëndësishme për rreth 28 mijë nxënës-maturantë në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të kryejnë Provimet e Maturës Shtetërore, duke filluar me gjuhën e huaj, gjuhën shqipe dhe letërsinë, matematikën dhe më pas me lëndët me zgjedhje. Ky moment shënon përfundimin e një etape dhe hapjen e kapitullit të ri në rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe aftësimit tuaj të mëtejshëm,” u shpreh ministrja.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e përpjekjeve dhe sakrificave të nxënësve, duke shprehur besimin e saj se rezultatet e tyre do të jenë të denja për të bërë krenarë mësuesit dhe prindërit. Ajo gjithashtu përmendi masat e reja të ndërmarra gjatë vitit për t’i mbështetur nxënësit në përgatitjen e tyre për provime, përfshirë shpërndarjen e testeve model që nga janari, të cilat kanë ndihmuar maturantët të familjarizohen me strukturën e pyetjeve dhe t’i japin më shumë besim në aftësitë e tyre.

“Një nga risitë e Maturës Shtetërore këtë vit është se ju të parët dhe brezat e tjerë pas jush do të keni mundësinë e gjenerimit të diplomës me vulë elektronike në sistemin e-matura, që është një hap përpara drejt modernizimit dhe digjitalizimit të mëtejshëm të shërbimeve online,” tha ministrja, duke nënvizuar përpjekjet për një proces provimesh të organizuar dhe të sigurt.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit gjithashtu në fjalën e saj inkurajoi maturantët që të zgjedhin universitetet shqiptare për të vijuar studimet e tyre.

SHKARKO APP