Maturantët: Jemi në prag të provimeve, më mirë që u rikthyem në shkollë

Nga kjo e enjte, maturantët nuk do të bëjmë më mësim online pasi janë rikthyer në ambientet e shkollës. Pajisja me maskë dhe distanca fizike mbeten ende një detyrim. Maturantët shprehen entuziastë për zhvillimin e mësimit fizikisht në klasë, ndërsa njoftimi vetëm një ditë para, për ta ishte i papritur.

”Përderisa jemi edhe në prag të provimeve të maturës është më mirë për ne që ta bëjmë mësimin në klasë, me praninë e mësuesve, sepse kemi pasur shumë shkëputje”, tha një nxënëse. ”Mësimi në shkollë është më efektiv kjo dihet, na kishte munguar me thënë të drejtën shkolla, mjediset fizike, edhe zyshat. Vendimi ishte pak i papritur se mendonim se do vijonim dhe një javë në shtëpi”, tha një nxënëse. ”Ishte pak si e papritur se e mora vesh në minutat e fundit. Ishim me orare të reduktuara, ishin 25 minutëshe”, pohoi një nxënës.

Nga ana tjetër, dyert e gjimnazeve në 10 bashkitë e cilësuara si zona me risk të lartë të përhapjes së virusit u hapën vetëm për maturantët. Në këto bashki mësimi do vijojë online për klasat e dhjeta dhe të njëmbëdhjeta edhe për një javë.

SHKARKO APP