Maturantët, protestë para Parlamentit, tenione me policinë
Maturantët protestuan sërish sot për të kundërshtuar padrejtësitë që po u bëhen. Ata u mblodhen para ambienteve të parlamentit, ku kërkuan ndryshimin e formulës së pranimit, e cila sipas tyre ka lënë jashtë ata me mesatare të lartë.
Në një moment tubimi i maturantëve është tensionuar kur ata kanë tentuar të hyjnë në kuvend, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të policisë që ka ndërhyrë për largimin e tyre nga perimetri i sigurisë.
Sipas maturantëve, ndryshimi i rregullave në fund bëhet me qëllim favorizimin e universiteteve private. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla deklaroi se maturantët duhet të presin listat përfundimtare, të cilat dalin më 20 shtator.
Maturantët që nuk e kanë gjetur veten në listat fituese thonë se mesatarja që ishte kriteri kryesor i vendosur nga institucionet e arsimit të lartë për tu pranuar në auditore nuk është marrë parasysh, pasi jashtë listave thonë ata kanë mbetur studentë me rezultate shumë të larta dhe mesatare gati në 10.
“Ata që kanë nota të mira nuk janë shpallur fitues. Kjo amulli është bërë që studentët të shkojnë drejt privatit, duke bërë korrupsion”, tha një nga maturantët.
Ndërsa një tjetër u shpreh: “Ne nuk ndalim protestat, kërkojmë rikthimin e sistemit të mëparshëm,nuk jemi të përgatitur me këtë lloj sistemi për pranimin në universitet”.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=cLwcJuLC1_0&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
KOHA JONË SONDAZH

