Mazhoranca kërkon rritjen e pagave të gjyqtarëve, Bylykbashi: Brenda kufijve kushtetues

Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi dhe miratoi sot disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, një nismë e deputetëve të PS, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli. Gjatë prezantimit të projektligjit, deputetja Bylykbashi deklaroi se nisma synon të rishikojë formulën e pagës referuese bazë të magjistratëve dhe të adresojë disa problematika që kanë krijuar pabarazi brenda hierarkisë gjyqësore.

Sipas saj, ndryshimet vijnë në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe synojnë të garantojnë një trajtim financiar të magjistratëve në përputhje me standardet kushtetuese, duke marrë njëkohësisht në konsideratë qëndrueshmërinë e financave publike. Bylykbashi theksoi se Gjykata Kushtetuese i ka lënë Kuvendit hapësirë për të përcaktuar formulën e pagave dhe nuk ka imponuar një model të vetëm numerik. Për këtë arsye, sipas saj, zgjedhja e formulës i takon ligjvënësit, për sa kohë respektohen kërkesat kushtetuese dhe nuk rezulton në ulje të pagave.

Një nga ndryshimet kryesore të propozuara nga mazhoranca është rritja e koeficientit të pagës referuese bazë nga 0.36 në 0.38 për qind të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas Bylykbashit, ky ndryshim rrit bazën mbi të cilën llogaritet struktura e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në të gjitha nivelet. Ajo tha se përcaktimi i koeficientit 0.38 është rezultat i një vlerësimi që balancon garancitë kushtetuese për magjistratët, përgjegjësinë e funksionit të tyre dhe mundësitë financiare të shtetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Projektligji parashikon gjithashtu ruajtjen e mekanizmit të indeksimit periodik të pagave, me qëllim mbrojtjen e tyre nga inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës. Sipas llogaritjeve të paraqitura nga Bylykbashi, paga bruto e një magjistrati të Shkallës së Parë, duke përfshirë edhe elementët e tjerë të pagës, si vjetërsia dhe shtesat sipas funksionit, do të arrijë afërsisht në 90 për qind të pagës së Presidentit të Republikës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e llogaritjes së vjetërsisë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Sipas nismës, për gjyqtarët që ushtrojnë të njëjtin funksion do të aplikohet një kriter i unifikuar, pasi aktualisht pagat mund të ndryshojnë për shkak të mënyrës se si është llogaritur përvoja profesionale. Propozimi parashikon që shtesa për vjetërsi për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të jetë 2 për qind e pagës referuese bazë për çdo vit përvojë profesionale juridike, të njohur si kusht për emërimin, deri në një maksimum prej 25 vitesh.

Ndryshimet përfshijnë edhe zgjerimin e shtesës për vështirësi pune. Sipas të dhënave të paraqitura në komision, efekti financiar shtesë për periudhën 2023–2025 parashikohet të jetë rreth 1 miliard lekë, ndërsa për vitin 2026 rreth 500 milionë lekë në vit. Projektligji parashikon që formula e re të ketë efekte nga 1 prilli 2023. Detyrimet financiare për periudhën e kaluar do të përllogariten për çdo përfitues dhe do të shlyhen sipas afateve dhe mekanizmave që do të përcaktohen në ligj. Në përfundim të diskutimeve, Komisioni i Ekonomisë e miratoi nismën me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 2734 (65%)
Jo 1471 (35%)

Vota totale: 4205