Mazniku për buxhetin e vitit 2025: Digjitalizim të shërbimeve vendore dhe grant bazuar në performancë
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku thotë se buxheti për pushtetin vendor është vlerësuar në 89.8 miliardë lekë. Ai tha se sot jemi 50% më shumë shpenzime nga buxheti për bashkitë.
”Viti 2024 shënon dhjetë vite nga reforma e rëndësishme territoriale e realizuar në 2014, që transformoi se si funksionon pushteti vendor dhe specifikisht edhe me buxhetin. Sa herë bëjmë buxhetin, që është dhe ai që alokohet për pushtetin vendor. Është një vlerësim që lidhet drejtpërdrejt me problemet e vogla të qytetarëve në komunitetin e tyre. Buxheti për pushtetin vendor është vlerësuar në 89.8 miliardë lekë, ose 898 milionë euro, me një rritje prej 13.2% në raport me atë të vitit 2024. Po të bëjmë krahasim me atë të vitit 2014, para reformës, në atë kohë ishte 2.3% e PBB, sot jemi në nivelin e 3.43%, pra çdo 100 lekë që prodhon ekonomia shqiptare, 3.43 lekë i shkojnë politikave bashkiake. Sot pra jemi 50% më shumë shpenzime nga buxheti për bashkitë”,-tha gjatë fjalës në seancën e sotme në Kuvend.
Mazniku u shpreh se totali i transfertës i kushtëzuar dhe i pa kushtëzuar, që jepet nga buxheti i shtetit për Bashkitë, shkon në 43.1 miliardë lekë, 17.1% më i lartë se ai i vitit që shkoj. Mazniku shtoi se të ardhurat e bashkive janë 10% më të larta se në vitin 2024. Sa i takon detyrimeve të prapambetura, Mazniku u shpreh se, bashkitë kanë patur 12.1 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta, sot kanë 4.9 miliardë lekë, 3 herë më pak.
”Në vitin 2015 detyrimet ishin 92% të të ardhurave të veta të bashkive. Pra bashkitë kishin detyrime ndaj të tretëve 92% të volumit të të ardhurave të veta. Sot 14%. Tregues i qartë i fuqizimit nga ana financiare e bashkive. U debatua jo pak herë për pagat. Në vitin 2015, 70% e parave që bashkitë shpenzonin shkonin për paga. Sot vetëm 51% shkojnë për pagat. Me qeverinë zvicerane do të krijojmë Akademinë e Pushtetit Vendor, që do të trajnojë bashkitë për funksionet e tyre në çështje si financë, ligj, urbanistikë, apo çështje sociale”, tha Mazniku.
Ministri u shpreh se do të nisë me Bankën Botërore, programi i digjitalizimit të qeverisjes vendore. ”Siç është E-Albania që shërbimet publike qytetarët i marrin përmes telefonit, po ashtu dhe ato vendore të merren përmes telefonit”. Ai gjithashtu përmendi marrëveshjen mes Universitetit të Tiranës dhe Harvard për planet e zhvillimit të bashkive.