Mbahen homazhet në nder të Miço Papadhopulli

Në ambientet e Muzeut Kombëtar u mbajtën homazhe në nder të ikonës së futbollit shqiptar, Miço Papadhopulli. Personalitete nga fusha të ndryshme vlerësuan figurën e tij.

Kadri Nuri: “Është një humbje e madhe jo vetëm për shokët dhe miqtë e Miços, por për sportin shqiptar sepse Miço Papadhopulli që fëmijë ka qënë i lidhur me futbollin, ka kontribuar për futbollin, ka qënë si sportist dhe i drejtpërdrejtë në sport dhe në të njëjtën kohë një menaxher i shkëlqyer në fushën e futbollit.”

Pertef Rusi, mjek: “Miço ka dhënë të gjithë kontributet e veta, kryesisht në futboll. “Daja” siç e kemi quajtur ne dhe siç e njohin të gjithë është një humbje e madhe për të gjithë ne”.

Astrit Greva: “Miço ishte një njeriu i madh, një futbollist i madh dhe ka lënë kujtime të mira tek të gjithë ne sportdashësit, trajnerë, lojtarë e të gjithë”.

Mehdi Bushati: “Futbolli shqiptar humbi një president të madh siç ka qënë Miço Papadhopulli”.

Miço Papadhopulli mbante titullin Prof. Doktor, ndërsa është dekoruar me “Mjeshtri i Madh” dhe “Mjeshtri i Merituar”. Si një ndër futbollistët më të mirë të viteve 1950-1960 fitoi gjashtë tituj kampion me skuadrën e Partizanit. Gjithashtu, ka drejtuar futbollin në Shqipëri, duke qënë president i FSHF-së nga viti 1997 deri në 2002.

SHKARKO APP