Mbahen sot zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman shqiptar, kush janë 3 kandidatët

Ditën e sotme, (e shtunë, 2 mars), mbahen zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Votimi do të bëhet në ambientet e Medresesë së Tiranës.

Këto zgjedhje mbahen pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të kryetarit aktual Bujar Spahiu, i zgjedhur më 02 mars të vitit 2019.

Tre kandidatët për kreun e KMSH-së janë kreu aktual Bujar Spahiu, administratori i myftinisë së Durrësit Aduard Shefki, si dhe myftiu i Breatit Emirjon Vathaj.

Këto zgjedhje mbahen mes akuzave dhe polemikave se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i kapur nga njerëzit e Fet’hullah Gylenit, ose siç e konsiderojnë ata, organizata FETO. Një pjesë e besimtarëve myslima i konsiderojnë zgjedhjet e sotme si “një teatër të orkestruar”, teksa kanë paralajmëruar edhe protesta.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, prej vitesh po i kërkon kryeministrit Edi Rama “pastrimin e mbetjeve të fundit të organizatës FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilin e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Këtë kërkesa ia përsëriti edhe në vizitën e fundit zyrtare në Ankara më 20 Shkurt.

“Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë në arsim fondacioni turk Maarif në Shqipëri”– theksoi Erdogan.

Peng i kësaj kërkese ka mbetur xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e investuar nga Turqia, e cila edhe pse ka mbaruar prej kohësh, ende nuk është inaguruar, për shkak se Erdogan i kërkon Ramës pastrimin e KMSH nga organizata “FETO”.

SHKARKO APP