Mbahet funerali i udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny

Të afërmit dhe mbështetësit e Alexey Navalnyt po i japin lamtumirën e fundit udhëheqësit të opozitës ruse në një funeral të premten në Moskën juglindore, pas një beteje me autoritetet për lirimin e trupit të tij, pas vdekjes ende të pashpjegueshme në një burg në Arktik.

Mbështetësit e tij thanë se disa kisha në Moskë refuzuan të mbanin shërbesën para se ekipi i Navalnyt të merrte lejen nga një kishë në lagjen Maryino të kryeqytetit, ku ai dikur jetonte, para helmimit të tij në vitin 2020, trajtimit në Gjermani dhe arrestimit të mëvonshëm pas kthimit në Rusi.

Kisha e cila pranoi të mbante shërbesën, nuk e përmendi atë në faqen e saj në rrjetet sociale. Autoritetet mbyllën rrugën nga një stacion afër metrosë deri në kishë dhe vendosën njësitë e policisë herët të premten.

Varrimi do të bëhet në varrezat e afërta në Borisovskoye, ku forcat e policisë janë vendosur po ashtu që nga mëngjesi.

Nëna e Navalnyt, Lyudmila Navalnaya, kaloi tetë ditë në përpjekje që autoritetet të lironin trupin pas vdekjes së tij më 16 shkurt në burgun e qytetit Kharp në rajonin Yamalo-Nenets, rreth 1900 kilometra në verilindje të Moskës.

Autoritetet fillimisht thanë se nuk mund ta dorëzonin trupin sepse duhej të bënin hetime pas vdekjes. Zonja Navalnaya, 69 vjeç, i bëri një thirrje me video presidentit Vladimir Putin që ta lirojë trupin, në mënyrë që ajo të mund ta varroste të birin me dinjitet.

Pasi trupi u lirua, të paktën një drejtor agjencie funeralesh tha se i ishte “ndaluar” të punonte me mbështetësit e Navalnyt, shkroi në mediat sociale zëdhënësja e ekipit të Navalnyt, Kira Yarmysh. Ata gjithashtu nuk ishin në gjendje të gjenin një makinë për transportimin e trupit.

“Njerëz të panjohur po i thërrasin njerëzit dhe po i kërcënojnë që të mos e transportojnë askund trupin e Alexeyt,” tha zëdhënësja Yarmysh të enjten.

Autoritetet ruse ende nuk e kanë bërë të ditur shkakun e vdekjes së zotit Navalny, 47 vjeç, i cili luftoi kundër korrupsionit zyrtar dhe organizoi protesta të mëdha si armiku më i ashpër politik i Putinit. Shumë udhëheqës perëndimorë fajësuan udhëheqësin rus për vdekjen e zotit Navalny, ndërsa Kremlini i hodhi poshtë akuzat me zemërim.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kush nga familja ose aleatët e Navalnyt do të merrte pjesë në funeral, ndërsa shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë në mërgim për shkak të frikës nga ndjekjet në Rusi. Fondacioni i zotit Navalny për Luftën kundër Korrupsionit dhe zyrat e tij rajonale u shpallën “organizata ekstremiste” nga qeveria ruse në vitin 2021.

Ekipi i politikanit tha se funerali do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalin e Navalnyt në YouTube.

E veja e tij, Yulia Navalnaya, akuzoi Putinin dhe kryebashkiakun e Moskës Sergei Sobyanin, se po përpiqeshin të bllokonin një funeral publik.

“Ne nuk duam ndonjë trajtim të veçantë, vetëm t’u japim njerëzve mundësinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Alexeit në një mënyrë normale”, shkroi Julia Navalnaya në rrjetin X. Në një fjalim para ligjvënësve evropianë të mërkurën në Strasburg, ajo shprehu gjithashtu frikën se policia mund të ndërhyjë në tubim ose të “arrestojë ata që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën burrit tim”.

Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit Kundër Korrupsionit të themeluar nga zoti Navalny, tha se funerali i tij fillimisht ishte planifikuar për të enjten, ditën e fjalimit vjetor të presidentit rus, por askush nuk pranoi të kryej shërbesën atë ditë.

Në një intervistë me faqen e pavarur ruse të lajmeve në internet, Meduza, Ivan Zhdanov tha se autoritetet kishin ushtruar trysni ndaj të afërmve të Navalnyt që të “mbanin një funeral të qetë familjar”./VOA/

SHKARKO APP