Mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës? Ministria e Turizmit dhe Mjedisit: Operohen nga kompani të huaja

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është përgjigjur lidhur me anijen e dyshuar se po transporton mbetje toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës. “Në përgjigje të interesimit tuaj në lidhje me dyshimet mbi transportin e parregullt të një sasie mallrash me përmbajtje mbetjesh të dala nga procesi teknologjik, sqarojmë se për këtë rast Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka dhënë asnjë autorizim dhe si rrjedhojë kompania nuk ka paraqitur të dhëna mbi destinacionin e ngarkesës.

Sa më sipër, ju informojmë se institucionet ligjzbatuese shqiptare janë angazhuar që në sinjalizimin e parë të këtyre dyshimeve dhe kanë kryer veprime hetimore të përbashkëta me Zyrën kundër mashtrimit të Bashkimit Evropian (OLAF) si dhe kanë referuar rastin pranë organeve të prokurorisë. Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan, janë ngarkuar në njësi kontejnerike pranë Terminalit të Mallrave Rifuxhio në Durrës, i cili operohet nga kompania koncesionare gjermane EMS”, sqaron Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për ”A2Cnn”.

“Në vijim, këto njësi kontejnerike, në pronësi të linjës ndërkombëtare MSC, dyshohet se janë transportuar drejt Portit të Triestes përmes anijeve kontejnerike ndërkombëtare. Në këtë port të Bashkimit Evropian njësitë kontejnerike nuk kanë qënë objekte kontrollesh dhe janë lejuar të vijojnë itinerarin e tyre duke u transportuar në anije të operuar nga një tjetër operator i mirënjohur ndërkombëtar (Maersk), me destinacion Azinë Juglindore. Vlen të theksojmë se konventat ndërkombëtare, dhe legjislacioni vendas i përputhur me to, parashikojnë një serë detyrimesh për prodhuesit dhe transportuesit e mbetjeve të tilla. Zbatimi i këtyre detyrimeve është gjithashtu objekt i hetimeve në proces”, shton më tej Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ministria thekson se “institucionet shqiptare mbeten në kontakt dhe bashkëveprim me partnerët evropianë për kryerjen e hetimeve të plota dhe transparente të të gjitha rrethanave dhe të të gjithë hallkave logjistike që kanë kryer këtë transport të dyshuar nga Europa në Azinë Juglindore”.

SHKARKO APP