Mbi 16 orë nën rrënoja, vijojnë operacionet e shpëtimit në 8 vatra

Prej më shumë se 16 orësh, Shqipëria është në agoni, lot, trishtim, shpresë dhe lutje për të mos rritur bilancin e jetëve të humbura dhe për të pasur sa më shumë të shpëtuar nga personat që po lëngojnë nën rrënoja. Deri më tani raportohen 22 të vdekur në Thumanë, Durrës, në zonën e ish-Kënetës dhe Lezhë, ndërsa janë rreth 600 të lënduar që kanë marrë trajtim në spital si pasojë e dëmtimeve nga lëkundjes e fuqishme sizmike të mëngjesit që vazhdojnë ende me pasgoditje të njëpasnjëshme.

Aktualisht 44 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat ndërsa vijojnë kërkimet për të tjerë. Ushtria, forcat e policisë dhe Emergjenca Civile po gërmojnë në mes të rrënojave të 9 godinave në Durrës, Thumanë dhe në lagjen e Kënetës ku dyshohet që mund të jenë edhe shumë njerëz. Po gërmohet tek tre pallatet e shembura në Thumanë, një vilë në Kënetë, dhe në Durrës hotel “MiraMare” , Hotel “Tropikal” , Hotel vila “Palma” , një pallat i fundosur dy kate nën dhe në lagjen numër 6, dhe një pallat në lagjen numër 18 pranë stadiumit.

Forcat speciale të policisë, ato të armatosura, zjarrfikësit, kryqi i kuq dhe forca të ushtrisë e policisë kosovare janë të gjithë në terren në operacione të vështira të kërkim shpëtimit mes rrënojave të personave të mbijetuar. Disa kanë dhënë shenja jete me telefona duke kërkuar ndihmë, por operacionet janë të vështira për shkak të kujdesit që duhet treguar për t’i nxjerrë pa të tjera dëmtime nga grumbullimi i copave të betonit dhe inerteve.

SHKARKO APP