Mbi 1700 kontrolle, AKU: 22 ton pije joalkoolike të bllokuara në 7 ditë
Mbi 1781 kontrolle në stabilimentet e Operatorëve të Biznesit Ushqimor dhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, 970 mijë lekë gjoba dhe 22 ton pije joalkoolike të bllokuara, është ky bilanci i punës së Autoritet Kombëtar të Ushqimit të realizuar nga data 1 deri 7 nëntor 2019. AKU-ja bën të ditur se në kuadër të përmbushjes së misionit të tij, për të garantuar siguri ushqimore të konsumatorëve ka kryer gjatë kësaj jave 497 inspektime të programuara sipas Planit Vjetor dhe 148 inspektime të paprogramuara dhe ka marrë në total 121 mostra për analiza laboratorike për 265 tregues analitik, nga të cilat 4 kanë rezultuar jokonform standardeve.
Sipas AKU-së, në pikat e inspektimit kufitar janë kontrolluar 1136 ngarkesa, duke marrë 49 mostra për analiza laboratorike të cilat kanë rezultuar të rregullta. Ndërsa janë vendosur 168 masa administrative “Paralajmërim”; 14 masa administrative “Gjobë” me vlerë 970,000 lekë; masë administrative “bllokim produkti” për 0.94 ton (pije alkoolike, pije joalkoolike, mish dhe nënprodukte mishi si dhe produkte të ndryshme ushqimore etj); masë administrative “asgjesim produkti” për 21.34 ton (pije freskuese, mish dhe nënprodukte mishi si dhe produkte të ndryshme ushqimore me afat të kaluar përdorimi etj).
AKU ka adresuar 5 kërkesa për notifikimin e 23 etiketave, pas shqyrtimin për përputhshmëri me kërkesat ligjore janë miratuar 19 etiketa, ndërsa 4 etiketa janë kthyer për korigjim dhe saktësim. ”Gjatë kësaj jave, përmes kanaleve të saj të komunikimit me publikun (nëpërmjet email-it, numrit jeshil dhe rrjeteve sociale), AKU ka marrë 6 raste denoncimi nga qytetarët të cilat i ka ndjekur deri në verifikim të plotë të sigurisë ushqimore”.