Mbi 30 hotele do të shemben
Godina e hotel “Lubjanës” në Durrës ka rrëshqitur sot në pjesën e pasme të saj, duke u dëmtuar plotësisht, por fatmirësisht pa marrë jetë njerëzish.
Banorët përreth thonë se personat që ndodheshin brenda dolën gjatë tërmetit të parë, duke shpëtuar kështu jetën gjatë goditjes fatale. “Ekspertët shqiptarë dhe të huaj e kanë klasifikuar si të rrezikshme godinën e hotel Lubjanës dhe kanë vendosur shembjen e saj. Ata janë duke diskutuar mënyrën e prishjes së saj.”
Sipas grupeve të inxhinierëve, mundësia është që shembja e godinës të bëhet me tritol. Por edhe hotele të tjerë përgjatë zonës së plazhit do të kenë të njëjtin fat me hotel Lubjanën.
“Edhe kjo godinë mbrapa meje do të shembet. Hoteli njihet me emrin Vila Verde dhe gjendja e saj është klasifikuar e rrezikshme”.
Tërmeti dëmtoi muret mbajtëse të hotelit duke rrëzuar tërësisht ndërtesën.
Sipas të dhënave të autoriteteve llogaritet që afërsisht 30 hotele të tjerë përgjatë zonës së plazhit të jenë në gjendje të pabanueshme, ndërsa po mbërrin një grup ekspertësh me 20 inxhinierë nga Greqia për të bërë matjen dhe inspektimin e godinave.
Deri tani vetëm vlera monetare e ndërtimit të këtyre hoteleve llogaritet mbi 10 milionë euro.