Mbi 60% e të rriturve në Shqipëri janë mbipeshë ose obezë
Përqindja e të rriturve në Shqipëri që janë mbipeshë ose obezë është rritur ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit, duke kaluar nga rreth 50% në vitin 1990 në mbi 62% në vitin 2022, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme të World Health Organization – Global Health Observatory (2025), të përpunuara nga Our World in Data.
Të dhënat tregojnë një rritje të vazhdueshme dhe pothuajse lineare përgjatë gjithë periudhës. Në fillim të viteve ’90, rreth gjysma e popullsisë së rritur në vend klasifikohej si mbipeshë ose obezë, me një nivel prej afërsisht 50%. Ky tregues u rrit gradualisht në rreth 52% në vitin 2000 dhe arriti në rreth 57% në vitin 2010, duke reflektuar një ndryshim të qëndrueshëm në profilin shëndetësor të popullsisë.
Rritja vazhdoi edhe gjatë dekadës së fundit, duke arritur rreth 61% në vitin 2020 dhe duke kaluar në mbi 62% në vitin 2022, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani. Në total, kjo përfaqëson një rritje prej rreth 12 pikë përqindje në krahasim me vitin 1990.
Kjo do të thotë se aktualisht rreth gjashtë në çdo dhjetë të rritur në Shqipëri kanë një indeks të masës trupore mbi 25, që sipas përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë klasifikohet si mbipeshë ose obezitet. Indeksi i masës trupore, ose BMI, matet duke pjesëtuar peshën në kilogramë me katrorin e gjatësisë në metra dhe përdoret si standard ndërkombëtar për vlerësimin e peshës trupore.
Sipas metodologjisë së përdorur, shifrat janë të standardizuara sipas moshës për të mundësuar krahasim të drejtpërdrejtë ndër vite dhe për të eliminuar ndikimin e ndryshimeve në strukturën demografike të popullsisë.
Rritja e vazhdueshme e këtij treguesi e vendos Shqipërinë në një trend të qartë afatgjatë, ku mbipesha dhe obeziteti janë bërë gjithnjë e më të përhapura në popullsinë e rritur gjatë periudhës 1990–2022./ekofin.al

KOHA JONË SONDAZH

