Mbledhja e 28 tetorit – Shkarkimi i gjyqtarit Boçi, debati në KLD: S’mund të fshihemi nën tavolinë

KLD zbardh procesverbalin e plotë të mbledhjes së KLD-së për shkarkimin e kryetarit të gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi një ditë pas publikimit të audio skandalit të publikuar në emisioni “Stop” ku gjyqtari kërkon favore seksuale.

Mbledhja e 28 tetorit 2016 u drejtua nga presidenti Bujar Nishani ndërkohë që të gjithë gjyqtarët kanë qenë në një zë kur e quajtën një rast të paprecedentë dhe që dëmton rëndë figurën e gjyqtarit. Shkarkimi i tij nga posti i kryetarit u miratua me 14 vota pro, unanime.

Por në procesverbalin e zbardhur prej 38 faqesh anëtari i KLD-së, Sokol Çomo vë në dukje dhe një detaj tjetër. Guximtar Boçi është emëruar nga KLD si kryetar i deleguar dhe më pas është lënë po i deleguar jashtë afateve ligjore dhe pastaj është emëruar po përsëri kryetar,” jashtë kritereve ligjore”, sipas Çobos.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Sot po analizojmë pasojën, por nuk mund ta fusim kokën poshtë tavolinës dhe të mos themi asnjë gjë për shkakun” thotë Çobo

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti Nishani në replikë tha se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vepruar mbi bazën e tërë të kompetencave të tij dhe përgjegjësia më e madhe është individuale.

” Ne kemi parë edhe më parë raste të ngjashme të sjelljes së ulët të zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit, kryetarë bashkish që kanë kërkuar favore seksuale dhe nuk besoj që zgjedhja apo votimi apo promovimi i tyre ka qenë pikërisht për t’i nxitur ata për të bërë atë akt që ata kanë kryer në sytë e opinionit publik. Kemi konstatuar dhe kemi parë që njerëz nga bota e krimit kanë depërtuar në institucionet më të larta të shtetit dhe administratës publike. Jemi përfshirë si shoqëri në një proces dekriminalizimi, për t’i larguar të gjithë këta elementë”

Anëtarët e KLD-së kanë kërkuar hetim të thelluar për punën e inspektoriatit të KLD-së për në mënyrën si i verifikojnë anksetat

Pjese nga debati 

Sokol Çobo:   “Nëse jemi në këtë situatë, atëherë pa dyshim qenkemi në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, qenkemi në një situatë ku njerëzve që iu kemi besuar të drejtojnë gjykatat qenkan kthyer në njerëz të cilët pozicionin e tyre po e përdorkan për të përfituar favore seksuale, nëse do të vërtetohet deri në fund kjo ngjarje. Unë nuk mund të rri pa e thënë që do të duhet që ky rast të na shërbejë edhe për të bërë një reflektim sepse ka qenë kjo tryezë, ka qenë ky Këshill që këtë zotëri e ka emëruar kryetar, me një procedurë në të cilën, kur është zhvilluar, personalisht e kam denoncuar si një procedurë që po bëhej në kundërshtim me kriteret e ligjit, ka qenë një procedurë që po bëhej haptazi me mos përmbushje të kritereve ligjore për t’u zgjedhur në funksione kryetari dhe pa zbatuar as edhe procedurën që duhet të ndjekë vetë Këshilli në mënyrën sesi është i organizuar dhe funksionon në bazë të ligjit dhe Kushtetutës.

Sot shohim që dëmi që shkakton veprimtaria e një kryetari gjykate është i jashtëzakonshëm për imazhin e sistemit sepse sot tek të gjithë qytetarët është futur sikleti: -sa i besueshëm është gjyqtari që kam përballë? -A mos vallë drejtuesi i gjykatës ka bërë të njëjtin ndikim si homologu i vet në gjykatën tjetër dhe vendimmarrja do të ndikohet për shkak të drejtuesit të gjykatës?

Për këtë arsye kam këmbëngulur në vazhdimësi që ky Këshill nuk mund të lejonte një kryetar të deleguar prej shumë kohësh. Kryetari që po shkarkojmë sot ka qenë një nga të tillët, ka qenë kryetar i deleguar dhe ky Këshill e kishte lënë një herë të deleguar jashtë afateve ligjore dhe pastaj e emëroi po përsëri kryetar, jashtë kritereve ligjore. Kush është kurioz le t’i kthehet procesverbaleve të mbledhjes kur është zgjedhur ky kryetar, të shikojë se për sa kohë e kishte bërë detyrën e kryetarit si i deleguar, të shikojë dhe cilat kanë qenë diskutimet e anëtarëve të këtij Këshilli në atë mbledhje.

Sot po analizojmë pasojën, por nuk mund ta fusim kokën poshtë tavolinës dhe të mos themi asnjë gjë për shkakun. Shkaku është thelbësor. Emërim kryetarësh të cilët nuk kanë pasur as kualitetet profesionale, as kualitetet etike, kryetarë të përzgjedhur me procedura të kundërligjshme. Pasoja. Jemi para një kryetari që pretendohet që paska kërkuar favore seksuale në shkëmbim të ndikimit të tij tek gjyqtarët e tjerë. Por kjo është më e rënda. Sepse mund ta kuptoj që mund të shkojë deri tek vendimmarrja e vet personale. Por imagjinoni që të gjithë qytetarët e Gjirokastrës sot mund të jenë para një pyetje të madhe.

Vendimi që unë kam marrë dje, a ka qenë i ndikuar nga ndikimi i kryetarit të gjykatës? Kush do t’i qetësojë këta qytetarë? Pa dyshim që do jetë shumë pak ky pezullimi i sotëm që ne bëjmë për t’i qetësuar ata. Do të ishte shumë e rëndësishme që ky Këshill të mendohet shumë mirë para se ti emërojë këta kryetarë dhe të mos tregohet aq sportiv për zgjedhjen e kryetarëve.

Por në fund të ditës hajde të tregohemi sportiv sot në shkarkimin e këtij kryetari dhe pa dyshim që unë iu përgjigja me shumë gatishmëri thirrjes së sotme për të marrë pjesë në këtë mbledhje, pavarësisht nga orari i shkurtër që na u la në dispozicion, pavarësisht nga informacioni i cili ndoshta nuk ishte përpunuar i gjithi në mënyrën e duhur, por që ne arritëm ta merrnim nga informacioni që morëm. Dhe për këtë arsye deklaroj që absolutisht unë e mbështes kërkesën e ministrit të Drejtësisë që, të ndërpritet vazhdimi i këtij funksioni nga ky kryetar të cilit ky Këshill ia ka dhënë, e theksoj edhe një herë, me kritere të kundra ligjshme, me procedura të kundra ligjshme

Bujar Nishani: Përpara se të vijojmë diskutimin, desha që të bëj një sqarim në lidhje me akuzat që u bënë ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në procedurën e emërimit të këtij gjyqtari, çka nuk më rezultojnë të sakta dhe korrekte, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vepruar mbi bazën e tërë të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, në respekt të plotë të një procedure rigoroze të ligjit dhe të të gjitha akteve të tjera që rregullojnë veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Është gjetur personi në përmbushje të të gjitha kritereve që ligji parashikon për konkurrimin dhe emërimin në postin e drejtuesit. Ka qenë një gjyqtar i emëruar prej shumë vitesh, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë paraardhës, është bërë pjesë e sistemit. Nuk besoj që kanë përgjegjësi ata anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që kanë votuar atë për t’u bërë pjesë e sistemit për sjellje të tij individuale, tashmë pas disa vitesh.

Për fat të keq ne kemi raste jo vetëm brenda gjyqësorit, prandaj unë do ta shfrytëzoja këtë rast për të adresuar edhe kërkesën time edhe thirrjen time që të mos përgjegjësohen dhe të mos hidhet baltë mbi të gjithë sistemin gjyqësor, mbi të gjithë gjyqtarët e republikës për raste të veçuara.

Ne kemi parë edhe më parë raste të ngjashme të sjelljes së ulët të zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit, kryetarë bashkish që kanë kërkuar favore seksuale dhe nuk besoj që zgjedhja apo votimi apo promovimi i tyre ka qenë pikërisht për t’i nxitur ata për të bërë atë akt që ata kanë kryer në sytë e opinionit publik. Kemi konstatuar dhe kemi parë që njerëz nga bota e krimit kanë depërtuar në institucionet më të larta të shtetit dhe administratës publike. Jemi përfshirë si shoqëri në një proces dekriminalizimi, për t’i larguar të gjithë këta elementë.

Pa dyshim që në këtë situata ka përgjegjësi edhe morale edhe njerëzore edhe institucionale, por përgjegjësia konkrete bie tek ata të cilët abuzojnë me detyrën, pasi detyrat dhe funksionet janë për t’u mbushur nga njerëz, për t’u plotësuar nga njerëz të cilëve u jepet një tagër kushtetues, kur parashikohet funksion kushtetues, ligjor, kur parashikohet funksion ligjor, për të ushtruar funksionin e tyre, për të ushtruar detyrën e tyre, për të ushtruar pushtetin që u jepet.

Pa dyshim pastaj përgjegjësia e të gjithë dimensionit, e të gjitha formave është pa dyshim individuale në radhë të parë. Prandaj unë nuk besoj që është vendi për të etiketuar të gjithë sistemin dhe të gjithë procedurat që janë ndjekur nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë sepse analizë pas analize dhe vit pas viti në retrospektivë mund të shkojmë shumë larg dhe mund të krijojmë analiza ndoshta të padrejta dhe të pasakta për individë të ndryshëm në institucione të cilat neve i kemi nën monitorim dhe nën drejtim dhe në menaxhim

Gjin Gjoni: Unë të them të drejtën jam pak jo shumë i surprizuar, për një arsye shumë të thjeshtë. Tani, është e vërtetë që KLD mund të ketë edhe subjektivizëm në emërimet e tyre, por përderisa ka një procedurë normale dhe përderisa përpara këtij Këshilli të Lartë të Drejtësisë ka ardhur Guximtar Boçi me dy vlerësime “Shumë mirë”, besoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë e ka në tagrin e tij dhe ky ka qenë kandidatura e cila bashkë me një kandidaturë tjetër (kandidatura tjetër ka shkuar si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të… gjykatës së apelit). Dhe për sa kohë që thuhet që duhet të kemi kujdes me rastet e emërimit, në rast se ligji do parashikonte vetëm emërim dhe ne do zgjidhnim rastet më të mira, s’kishte pse të kishte shkarkim atëherë. Sepse ne jemi këtu për të emëruar dhe për të shkarkuar njerëz të cilët realisht kryejnë shkelje disiplinore ose të karakterit penal. Do ishte mirë që në rastin konkret, sa herë që KLD të ketë raste të kësaj natyre, siç është edhe rasti i sotëm, thirret në mënyrë urgjente dhe të japë një qëndrim, ashtu siç e tha edhe ministri në mënyrë proporcionale. I japim për të kuptuar, jo vetëm kryetarit të gjykatës së Gjirokastrës por të gjithë kryetarëve të gjykatave në shkallë republike, që duhet të jenë dinjitozë në përmbushjen e detyrës së tyre funksionale. Dhe ne jemi këtu si Këshill i Lartë Drejtësie, qoftë edhe për raste të tjera që mund të kemi, që të bëhen shkarkime ose edhe ndoshta inspektime shumë të shpejta të të gjithë kryetarëve të gjykatave, për sa kohë që ky Këshill do funksionojë.

Albana Shtylla:  Siç vepruam në mënyrë të menjëhershme për të ndërhyrë lidhur me këtë rast flagrant të kryetarit të gjykatës, të veprohet në mënyrë të menjëhershme edhe për inspektimin që mund të bëhet lidhur me veprimet e rregullta apo të parregullta të një inspektori të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për karshi një ankese të paraqitur nga qytetarët në drejtim të një gjyqtari. Faleminderit!

Bujar Nishani: Atëherë, kush është dakord me propozimin e ministrit të Drejtësisë që, duke patur në konsideratë situatën e krijuar pas fakteve të bëra publike në media ku kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka vepruar në kundërshtim me nenin 23/2 të ligjit 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që parashikon se gjyqtari duhet të ruajë dinjitetin e tij duke mos lejuar veprime që komprometojnë profesionin, organet e drejtësisë dhe figurën e tij në shoqëri; rregullin 4 të Kodit të Etikës së gjyqtarit që parashikon shprehimisht se gjatë punës së tij, gjyqtari duhet të shmangë çdo sjellje të papërshtatshme dhe që bie në kundërshtim me ligjin, Kodin e Etikës, si dhe veprime që dëmtojnë ose hedhin dyshime mbi figurën e tij morale, të shkarkojë nga funksioni drejtues i kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, zotin Guximtar Boçi

Votimi unanim 14 vota pro.

Njoftohet dhe fillimi i procedimit penal

Ndersa pezullimi si gjyqtar u u votua po unanimisht me 13 vota pasi  nuk mori pjesë në mbledhje anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Xhezair Zaganjori.

Ylli Manjani: Tani, sapo – dhe këtë e kam me përgjegjësi zyrtare – sapo jam njoftuar nga Prokurori i Përgjithshëm i cili nuk gjendet në zyrë sot dhe kjo është arsyeja pse nuk ka një letër, ka një procedim penal. Meqenëse duam ta fusim tek… të fshihemi pas Prokurorisë, që unë nuk e sugjeroj këtë gjë. KLD nuk mund të fshihet pas Prokurorisë. E theksoj, Prokuroria ka punën e vet. Ne kemi punën tonë. Megjithatë, edhe për hir të traditës, ka një procedim penal me nr. 240 – po e them për arsye rekordi – datë 27.10.2016, procedim penal për Guximtar Boçin, në bazë të nenit 319, pika /ç/, i Kodit Penal. Pra e paskan marrë për korrupsion. Është marrë në përgjegjësi penale për korrupsion. Ky është informacion zyrtar që e kam të konfirmuar dhe i rri unë, në përgjegjësinë time zyrtare, saktësisë së këtij informacioni.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?