Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Tiranë, merren vendime për strehimin e familjeve në nevojë
Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi disa vendime të rëndësishme kryesisht për strehimin e familjeve në nevojë për disa kategori të caktuara. Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani u ndal edhe te situata e përmbytjeve që përfshiu vendin tonë pak ditë më parë, duke vlerësuar punën e ekipeve të emergjencave.
Ajo tha se pavarësisht sasisë së shirave Tirana e ka përballuar mjaft mirë situatën e përmbytjeve për shkak të gatishmërisë së ekipeve në terren. Një tjetër pikë që ceku Ristani ishte dhe puna e bërë nga Bashkia e Tiranës përgjatë verës, për të parandaluar daljen e lumit Lana nga shtrati në zonën e Pallatit me Shigjeta, e cila ka rezultuar mjaft problematik gjatë shirave më herët.
“Dua të shfrytëzoj një moment për të falënderuar punonjësit e Bashkisë së Tiranës të cilët kanë qenë të përfshirë në përballimin e emergjencave dhe situatave që patëm për shkak të motit pak ditë më parë. Arritëm ta përballojmë me sukses. Që nga Tirana dhe zonat qendrore, fshatra dhe zonat e thella malore.
Kemi pasur disa banorë të prekur në urën e Farkës, të cilët përkohësisht janë evakuuar, janë vendosur në banesa sociale. Dhe pastaj kur banesat e tyre nuk kanë qenë më në rrezik, janë rikthyer përmes ndihmës së punonjësve tanë të emergjencave.
Doja të rikujtoja një punë të rëndësishme që është bërë gjatë verës. Që na ka ndihmuar në përballimin e kësaj situate, sidomos në segmentin e Lanës te Pallati me Shigjeta, e cila është një zonë problematike. Ka qenë nën vëzhgim dhe nuk doli këtë radhë nga shtrati. Një arsye pse kjo nuk ndodhi ishte pastrimi i gjerë i shtratit të Lanës, gjatë verës”, deklaroi Ristani.
KOHA JONË SONDAZH

