Mbledhja e Këshillit të Sigurisë/ PAA: Përshëndesim frymën e mirëkuptimit

Partia Agrare Ambientaliste, nëpermjet një deklarate, përshendet frymën e mirëkuptimit që përshkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të thirrur nga Presidenti i Republikës. Po ashtu edhe shpalljen e gjendjes së “ Fatkeqësisë Natyrore”, masat e marra për menaxhimin e pandemisë së Covid-19, masat e marra për përballimin e dukurive negative ekonomike, të shfaqura dhe që pritet të prekin ekonominë e vendit, gjithashtu edhe masat mbështetëse për biznesin dhe familjet në nevojë.
Ndërkohë PAA nuk mund të mos nënvizojë qëndrimin neglizhent të qeverisë ndaj gjysmës së popullsisë së vendit, e cila jeton në zonat rurale dhe merret me aktivitet bujqësor.
Ndikimi i pandemisë dhe i masave shtrënguese, me të drejtë të shpallura nga autoritetet, kanë rënduar situatën ekonomike, si në qytet, ashtu edhe në fshat. Por, ndërsa për bizneset dhe një pjesë të familjeve në nevojë qeveria ndërmori një sërë masash mbështetese, për fermerët dhe familjet në nevojë në zonat rurale nuk konstatojmë një mbështetje të tillë.

Prandaj, nëpërmjet kësaj deklarate PAA synon që të vendosë në vëmendje të qeverisë edhe njëherë se:

– Aktiviteti bujqësor duhet të konsiderohet biznes, njësoj si sipërmarrjet e tjera;
– Megjithëse janë regjistruar rreth 45.150 fermerë (të cilët paguajnë taksa) ata nuk kanë asnjë përfitim nga paketa e ndihmës ekonomike;

– Fermerët dhe pjesëtarët e familjes bujqësore, megjithëse me një nivel të ulët të të ardhurave, konsiderohen të vetpunësuar, që do të thotë se nuk përfitojnë nga paketa e ndihmës ekonomike;

– Humbjet e prodhimit bujqësor, për rrjedhojë dhe të të ardhurave të familjeve që merren me aktivitet bujqësor, janë të pallogaritshme. Mjafton të përmendim se një vit më parë, kjo periudhë, shënonte pikun e eksportit të trangullit, kungullit e domates, ndërkohë që këtë vit çmimet e shitjes janë shumë të ulëta, madje nën koston e prodhimit;

– Masat për kufizimin e lëvizjeve të mjeteve dhe njerëzve kanë vështirësuar në maksimum evadimin e prodhimit bujqësor drejt tregut dhe qendrave të grumbullimit, për pasojë prodhimet bujqësore po dëmtohen masivisht duke shkaktuar rrënim ekonomik të fermerëve;

– Dëmtimi që po pëson prodhimi bujqësor do të ndikojë dukshëm jo vetëm në realizimin e buxhetit të këtij viti (bujqësia jep rreth 18% të PBB-së), por do të ketë influencë të theksuar edhe për vitin 2021.

Nisur nga sa më sipër, PAA kërkon që qeveria të konsiderojë situatën e rënduar ekonomike të popullsisë në zonat rurale dhe të biznesit bujqësor dhe të mundësojë miratimin e një pakete mbështetjeje dhe ndihme në mënyre që edhe ky aktivitet t’i mbijetojë situatës së krijuar, zgjatja e së cilës është ende e panjohur.

Duke shpresuar që qeveria do të marrë në konsideratë impaktin negativ të pandemisë Covid-19 në ekonominë e bizneseve bujqësore dhe të gjendjes ekonomike e sociale të popullsisë në zonat rurale, Partia Agrare Ambientaliste, në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit të vërejtur këto momente krize, ofron ekspertizën e saj të kualifikuar për t’i dhënë një zgjidhje reale problemeve të krijuara.

SHKARKO APP