Mbledhje në Portin e Durrësit, Lleshaj: Të ketë ndërhyrje të thella
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi një analizë pune mëngjesin e sotëm me autoritetet kryesore që operojnë në Portin e Durrësit, më i madhi në vend, me gati 40% të të ardhurave doganore. Në nisje të takimit, ministri Lleshaj u shpreh se: ”Prej shekujsh, ky vend, ndërlidhet me botën prej nga qarkullojnë mallra, njerëz, të mira materiale, kulturore, por dhe probleme që lidhen me to. Qeveria shqiptare është angazhuar që në kuadër të përmirësimit në përgjithësi të shërbimeve, në kuadër të zhvillimit të gjithanshëm ekonomik, shoqëror, kulturor të vendit, t’i kushtojë një rëndësi të madhe portave të saj”.
Ai deklaroi se nevoja për përmirësim në Portin e Durrësit është e jashtëzakonshme. ”Me gjithë përmirësimet e bëra, të cilat mund të përcaktohen lehtësisht prej secilit prej nesh, i cili e ka frekuentuar këtë Port në cilësime të ndryshme, qoftë si udhëtar, qoftë si punonjës i shtetit konstatohet progres, por ama është po ashtu e rëndësishme të shënohet që nevoja për përmirësim është e madhe. Problemi kryesor këtu në Portin e Durrësit ka të bëjë me faktin që duke qenë port i madh ka edhe shumë autoritete. Siç e shihni vetëm në këtë panel, janë një numër i konsiderueshëm drejtuesish të lartë, Drejtorësh të Përgjithshëm dhe paneli nuk i ka zënë të gjithë, sepse janë edhe disa drejtues të tjerë që nuk janë ulur në radhën e parë. Do të thotë që kemi një numër shumë të madh autoritetesh, duke filluar nga Autoriteti Portual, nga Policia e Shtetit, nga AKU, Doganat dhe struktura të tjera, të cilat e bëjnë shumë kompleks menaxhimin e këtij Porti si një entitet të tërë”, u shpreh Lleshaj
Nga ana tjetër, Lleshaj bëri me dije se nga nevoja dhe detyra e Kryeministrit, është shtruar prej kohësh që Porti të arrijë në një nivel të lartë integrimi, që të funksionojë si një entitet i integruar, jo si disa entitete siç ka funksionuar prej shumë kohësh, por të funksionojë si një entitet i integruar.
“Kohët e fundit ne kemi bërë disa sondazhe të vogla, të cilat na kanë provuar faktin që ka nevojë dhe për sondazhe dhe për ndërhyrje më të thella. Më së fundmi, gjatë një kontrolli në strukturat e policisë kufitare kemi evidentuar probleme të rëndësishme, të cilat tregojnë që nevoja për ndërhyrje të thella në drejtim të përmirësimit të standardeve të funksionimit të të gjitha institucioneve që funksionojnë në Port është e lartë”, deklaroi ministri duke iu kërkuar drejtuesve kryesorë një panoramë të plotë të gjendjes.

KOHA JONË SONDAZH

