Mbrojtje për të dashurat, ligji i ri: Urdhër mbrojtje për lidhjet afektive

Nga muret e shtëpisë deri te përgjakja e rrugëve, dhuna në familje është kthyer në një shqetësim në rritje që ka shtyrë Qeverinë të ndërhyjë me një projektligj që aktualisht po shqyrtohet në komisionet e Kuvendit.

Risitë janë të ndryshme, por ajo që bie në sy është se drafti shkon përtej institucionit të martesës dhe parashikon si rastet e bashkëjetesës, ashtu edhe ato të marrëdhënieve apo lidhjes afektive në çift. Thënë ndryshe, një vajzë mund të gjejë mbrojtje edhe nëse personi që e dhunon ka thjeshtë statusin e të dashurit.

Përveç Urdhrit të Mbrojtjes shtohet edhe Urdhri Paraprak i Mbrojtjes së Menjëhershme. Sipas hartuesve të draftit, është vënë re se 24 apo 48 orët e para nga momenti kur një grua paraqitej në polici për të kërkuar mbrojtjen e shtetit e deri te lëshimi nga gjykata i këtij urdhri, ishte harku kohor brenda të cilit regjistroheshin edhe ngjarjet më të rënda. Ndryshimet ligjore propozojnë që një grua të përfitojë menjëherë nga Urdhri Paraprak i Mbrojtjes, duke nisur nga momenti që e kërkon atë pranë autoriteteve të rendit, deri kur gjykata do ta konfirmojë atë apo jo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Projektligji i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, parashikon ngritjen e qendrave të emergjencës për trajtimin e menjëhershëm të viktimave.

Swiss Digital Mobile Reklama

25 denoncime në ditë

Dhuna në familjet shqiptare është një fenomen që po njeh shifra të frikshme kohët e fundit. Rasti më i rëndë ishte ai i së mërkurës në qytetin e Durrësit, ku një i ri plagosi me thikë nënën dhe babain.

Por vetëm gjatë së mërkurës, policia e shtetit raportoi 23 raste të dhunës në familje në të gjithë vendin. Shumica e denoncimeve janë të grave që denoncojnë bashkëshortët, ish-bashkëshortët ose bashkëjetuesit për dhunë fizike dhe psikologjike.

Por trendi në rritje vihet re edhe tek prindërit që denoncojnë fëmijët apo anasjelltas. Nëse marrim shifrat e 4 ditëve të fundit, policia raporton 57 denoncime për dhunë në familje, ku nuk mungojnë edhe denoncimet për 3 nuse që kanë dhunuar vjehrrin ose vjehrrën, ndërsa në një rast kjo e fundit ka kallëzuar bashkëshorten e djalit për dhunë.

Në shumicën e rasteve policia ka plotësuar kërkesë padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, ndërsa raste për specifike ka proceduar edhe me arrestim në flagrancë të dhunuesit. /Top Channel/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?