Mbyllet një klub nate, nis zbatimi i sanksioneve
Ka nisur sot në mëngjes zbatimi i sanksioneve për klubet e natës që nuk respektuan protokollet shëndetësore. Drejtori i Inspektoratit Stojko Paunovski, njofton se është mbyllur sot në mëngjes klubi i natës “Avatar” në Strumicë, Maqedoni e Veriut.
Sipas Inspektoratit nuk duhet të punojë asnjë klub nate.
Nga menaxhmenti i “Avatar” thonë se ata punojnë si kafe bar dhe në hapësirë të hapur, dhe se në përpikmëri i respektojnë protokollet.
“Duam t’i përgënjeshtrojmë informatat në të cilat thuhet se jemi klub nate. Nuk bëhet fjalë për klub nate por për kafe bar. Objekti është në vend të hapur dhe punon sipas të gjitha dispozitave ligjore. Tavolinat janë në distancë përkatëse, në të cilat ka mjete për dezinfektim, të punësuarit gjatë gjithë kohës mbajnë maska mbrojtëse. Ne nuk kemi kompetencë të kërkojmë nga mysafirët të mbajnë mbrojtje personale, ata vetëm përgjigjen për veten e tyre. Punojmë në mënyrë të njëjtë sikur edhe të gjitha objektet tjera në qytet. Nuk jemi të vetmit, pothuajse në çdo lokal të dytë në qytet, i cili është disa herë më i vogël se lokali ynë, ka festa të ngjashme, por për atë askush nuk reagon dhe nuk shpërndan fotografi dhe video në rrjetet sociale. Askush nuk reagon as për përzierjet që bëhen në sipërfaqet publike ku duhet të jetë hapësirë për lëvizje të qytetarëve, kanë vendosur tavolina, ndërsa distancë të nevojshme aspak nuk ka”, deklaruan nga “Avatar”.