Mbyllet Radiologjia në Berat, infektohet një mjek me COVID-19, në karantinë gjithë personeli shëndetësor i repartit
Virusi Sars Cov-2 është rikthyer sërish mes bluzave të bardha në Berat. Një tjetër mjek në Spitalin Rajonal të Beratit është infektuar me koronavirus,duke rikthyer sërish frikën dhe panikun mes mjekëve dhe infermierëve. Mjeku i Repartit të Radiologjisë,kishte shfaqur prej disa ditësh shenja të infektimit dhe ishte në pritje të përgjigjes së tamponit që ka rezultuar sot “pozitiv”.
Mësohet se mjeku radiolog është karantinuar në banesë dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Berat konfirmojnë se,janë kryer tamponët e familjarëve të mjekut dhe personelit të Repartit, ndërkohë që po kryhet edhe hetimi epidemiologjik i rasteve të tij të kontaktit. Të njëjtat burime konfirmojnë se,pas dezinfektimit është bërë mbyllja e Repartit të Radiologjisë dhe është karantinuar i gjithë personeli shëndetësor i këtij reparti.
Mjeku radiolog ishte mes rasteve “pozitive” të deklaruara zyrtarisht pasditen e sotme nga Ministria e Shëndetësisë,ndërkohë që sipas kolegëve të tij ai kishte 5 ditë i sëmurë dhe me shenja dalluese të infektimit nga koronavirusi.