Mbyllet rinumërimi në Belsh, konfirmohet kandidati fitues

Rinumërimi i kutive të Belshit nuk prodhoi asnjë ndryshim rezultatit. Kandidati i PS-së, Arif Tafani rinkonfirmoi fitoren e tij si i zgjedhur vendor ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bedri Qypi.

“Pas këqyrjes të kutive të votimit janë fletë të vlefshme 9079, vota të pavlefshme 186”, u shpreh Ledio Braho. Ndryshe nga sa prisnin përfaqësuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për ndryshim rezultati, ndodhi e kundërta. Rinumërimi i votave thelloi diferencën me 9 vota ndërmjet kandidatit të PS dhe atij të PD, çka bëri që KAS të rrëzonte ankimin e depozituar.

Tashmë beteja ligjore e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në KAS për zgjedhjet vendore po mbaron dhe është në pritje të vendimeve për Kamzën dhe Elbasanin. Por cilado qoftë vendimmarrja, lufta do të transferohet në një tjetër sheshbeteje, pasi ankimet tashmë janë transferuar në Kolegjin Zgjedhor.

SHKARKO APP