Mbyllet TikTok, Rama: Vendim i marrë me 65 mijë prindër dhe mësues

Vendimin për mbylljen e TikTok, Rama thotë se është marrë me 65 mijë prindër dhe mësues. Po ashtu kreu i qeverisë thotë se kompania do të vijë në Shqipëri. ”Për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe”.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu tha se kufizimi do të jetë për një periudhë 12 mujore, ndërsa aksesi do të ndërpitet brenda javës. Nga ana tjetër, Berisha ka thirrur një protestë kombëtare, kundër mbylljes.

Postimi i plotë

Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues. E dyta është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike. Ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve.

Koment i “Zëri i Amerikës:

Qeveria vendosi sot të mbyllë 12 muaj TikTok-un, si pjesë e masave të përkohshme, siç u tha nga përfaqësues të saj, për shmangien e ndikimeve negative të kësaj platforme online, dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve në mjedisin digjital.

Kryeministri Edi Rama shënoi në rrjetin X se ky vendim u mor pas një “konsultimi të gjerë me 65 mijë prindër e mësues”, se është vendosur “një dialog shumë pozitiv me kompaninë”, e cila do të paraqesë në Tiranë sipas tij një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët edhe në gjuhën shqipe, dhe disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve.

Ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu tha pas mbledhjes së qeverisë se bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqenien psiko-emocionale të fëmijëve përballë efekteve negative dhe nxitje të dhunës, që sjellin përmbajtjet e pakontrolluara në mjedisin digjital online.

“Kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për platformën TikTok. Ky kufizim aksesi do të jetë për një periudhë 12 mujore, e cila do të na lejojë ne të gjithë kohën e nevojshme për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës TikTok”, tha zonja Manastirliu.

Autoritetet shqiptare kanë nisur tashmë komunikimin me përfaqësuesit e TikTokut, për masat filluar nga filtrat mbi moshën e aksesit në platformën TikTok, filtrat në lidhje me kontrollin prindëror si dhe për komunikimin në gjuhën shqipe, filtra, në përpjekje për të parandaluar sjellje të padëshiruara, për të pakësuar rreziqet, që vijnë përmes komunikimit në platformën e TikTok.

Por ajo që për qeverinë është një masë për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga rreziqet e mjedisit digjital, nga ana tjetër është për opozitën një akt censure që merret në kulmin e fushatës zgjedhore.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi thirrjen e një proteste kundër ndalimit të TikTokut në Shqipëri pas nëntë ditësh, ku do të kërkohet anullimi i vendimit të qeverisë për këtë platformë.

“Me këtë akt censure të mbi një milion përdoruesve të TikTokut në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij”, tha zoti Berisha.

Pas një konflikti mes disa të miturve 18 nëntorin e kaluar, mbeti i vrarë me thikë njëri prej tyre, 14 vjeçari Martin Cani. Ngjarja tronditi opinionin publik me një mori reagimesh e protestash.

Dyshohet që konflikti të ketë nisur fillimisht në rrjetet sociale, ndaj qeveria ndërmori hapat ndaj TikTok-ut, por opozita thotë se të miturit nuk kishin llogari në këtë platformë dhe se qëllimi i vërtetë është frenimi i lirisë së shprehjes.

Zyrtarët kanë pohuar se mbyllja e platformës TikTok është pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla, që parashikon vendosjen e kamerave brenda dhe përreth shkollave, rregulla mbi telefonat celularë gjatë orëve mësimore, dyfishim të oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, si dhe koordinimin e tyre me policinë e shtetit.

SHKARKO APP