Mbyllja e kufijve/Dhjetëra shqiptarë kanë ngecur në botë? Ja ç’po ndodh
Mbyllja e shpejtë e kufijve botërorë ka gjetur të papritur dhjetëra shqiptarë të cilët kanë qenë jashtë vendit për arsye të ndryshme. 24 turistë shqiptarë nuk erdhën dot me autobus nga Budapesti në Tiranë, pasi Serbia mbylli kufijtë më Hungarinë. Ata po mbahen në Budapest dhe ambasada po përpiqet të gjejë bileta avioni për ta. Ambasada jonë atje i tha ABC News se biletat e para të lira janë për të enjten, datë 19 në mëngjes. 9 persona që udhëtonin më 5 autovetura dhe 39 shtetas që udhëtonin me autobus nga Hungaria, ishin bllokuar ne kufirin serb, pasi Serbia ka mbyllur kufijtë. Pasi disa orësh pritjeje dhe me ndërhyrjen e Ambasadës në Beograd, ata u lejuan të vijojnë udhëtimin dhe kanë mbërritur në Shqipëri. Në Itali gjendja është më problematike. Ka një numër shqiptarësh të cilët kanë mbetur në qytete të ndryshme italiane në pamundësi për t’u kthyer.
Një çift ishte nisur për në Itali ku gruaja merr trajtim mjekësor të vazhdueshëm. Ata ishim bllokuar ne Kroaci pasi u mbyllen kufijtë me Italinë. Këta persona e kishin të pamundur të ktheheshin vetë në Shqipëri, dhe janë transportuar me mjetet e ambasadave ne Kroaci, Bosnje dhe Mal të Zi dhe janë kthyer në Shqipëri. Të shtunën, një marinar shqiptar, që kishte ankoruar anijen në Sfax të Tunizisë ishte sëmurë dhe nuk në spital me friken e infektimit nga koronavirusi. Ai u ndihmua nga ambasada jonë ne Athine e cila mbulon dhe Tunizinë.
Dy shqiptarë janë në Poloni, pasi kishin shkuar për turizëm në Krakov. Ky shtet ka bllokuar kufijtë dhe ata kanë ngelur atje. Komunikimet me ambasadën dhe sugjerimet që kjo ka dhënë, kanë qenë të pasuksesshme dhe ata janë ende atje në pritje të një zgjidhjeje. 12 shqiptarë të tjerë qe kishin mbërritur në aeroportin e Podgoricës nga Suedia u ndaluan në kufi, por pavarësisht ndërhyrjeve të Ambasadës sonë atje dhe masave te marra nga MEPJ (siguruar autobusi dhe lejet e udhëtimit) pala malazeze i ktheu mbrapsht.
32 shqiptarë kishin ardhur nga Dubai në Shkup dhe u bllokuan nga autoritetet maqedonase. Ata kërkuan ndërhyrjen e Ambasadës, dhe më pas u sigurua një autobus dhe u nisen për në Shqipëri. 2 nga 3 shtetasit shqiptare, staf i kruazjeres Grand Princess, bllokuar në brigjet e Kalifornisë, u kthyen ne Shqipëri nëpërmjet Serbisë dhe më pas nga Beogradi në Tiranë të shoqëruar nga policia shqiptare. Shtetasi i tretë nuk u lejua të udhëtojë pasi ishte me temperaturë të lartë. /Abc News/