Me 180 km/h në aksin ku ndodhi aksidenti tragjik, Policia Rrugore arreston 15 shoferë

Nisur nga aksidenti tragjik që shuajti famlijen Gushi, ka bërë që Policia Rrugore të bëjë kontrolle në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Gjatë 24 orëve të fundit, në akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, si rezultat i përdorimit të radarëve janë evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 111 km/orë në qendrat e banuara dhe deri në 180 km/orë në aksin rrugor Levan-Vlorë, pikërisht në vendin ku edhe ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën 4 personave të së njëjtës familje.

30-vjeçari E.C, nga Fieri, i cili drejtonte mjetin tip “Audi” me shpejtësi 180 km/orë, në aksin Levan-Vlorë, u konstatua dhe u ndëshkua nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore. Gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 për drejtim mjeti te pa pajisur me leje drejtimi.

Mësohet se janë pezulluar gjithsej 67 leje drejtimi, nga të cilat 39 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Janë ndëshkuar me masë administrative 2881 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

SHKARKO APP