Me 202 km në orë, policia bën apel ”me selfie”: Shoferë nuk iu dhimbset jeta…(FOTO)
Policia rrugore e Tiranës, në aksionin për të ndërgjegjësuar drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të lëvizin sipas normave, mbëmë ka ndaluar disa shoferë në autostradë Durrës-Tiranë. Siç thuhet në njoftimin e policisë, ata ishin me shpejtësi të lartë tej normave të lejuara si dhe disa prej tyre ishin të dehur.
Zëdhënësi i policisë Gentian Mullai ka qenë pranë efektivëve të Rrugores ku ka parë nga afër punën e policisë duke publikuar edhe fotot. “Shpejtësi përtej çdo limiti. Fotot flasin vetë. Drejtues mjetesh që nuk ju dhimbset as jeta e tyre, as e familjarëve që kishin me vete, palë e përdorueseve të tjerë të rrugës. Jeta është e shtrenjtë, mbrojeni duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor”, shkruan Mullai.
Policia Rrugore e Tiranës ka evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që drejtonin automjetin nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Në radarin e policisë ka pasur edhe shifra të çmendura shpejtësie, si 202 km në orë apo 194 km/orë.
Ndërsa pas provës së alkoolit kanë rezultuar edhe mjaft të dehur. “Fotot që shikoni janë reale, teste të bëra me drager drejtueseve të automjeteve.
Kjo masë alkooli e konsumuar dhe të drejtosh automjetin është vërtet papërgjegjshmëri. Argëtohuni por mos drejtoni mjetin në gjendje të dehur. Drejtues mjetesh: alkooli vret. Në rast se konsumoni alkool mos drejtoni mjetin por përdorni automjetet e transportit publik. Kështu jeta juaj, e të afërmeve tuaj dhe e të gjithë përdorueseve të rrugës është më e sigurt”, shkruan zëdhënësi i Policisë së Shtetit.


