Me kallashnikov në restorant, flet 33-vjeçari që alarmoi policinë

Policia e Durrësit arriti që të parandalojë një ngjarje të rëndë kriminale, pasi arrestoi në flagrancë një burrë që kishte futur armën poshtë xhupit dhe po hynte në restorant. Policia dyshon se ai po futej në restorant për të kryer një krim prandaj edhe kishte marrë dy karikatorë me fishekë. ”Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë informacion se në lagjen nr. 13, në Durrës, një shtetas mbante të fshehur poshtë xhupit një armë zjarri kallashnikov dhe po futej në ambientet e një restoranti”, njofton policia. Mësohet se autori është 33 vjeçar ka deklaruar në polici se nuk kishte qëllim të kryente ndonjë krim të restorant dhe se kishte hyrë për të pirë një çaj. ”Nuk kisha plan të vrisja njeri. Hyra për të pirë një çaj. Armën po e mbaja pa asnjë qëllim me vete”, mësohet të ketë thënë para forcave blu.

Njoftimi i policisë

Policia e Durrësit parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale. Marrja në kohë e informacionit dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 33-vjeçar, i cili hyri me armë zjarri në një lokal. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov, me 2 karikatorë me municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë informacion se në lagjen nr. 13, në Durrës, një shtetas mbante të fshehur poshtë xhupit një armë zjarri kallashnikov dhe po futej në ambientet e një restoranti. Menjëherë u organizua puna nga shërbimet e Policisë, të cilët falë reagimit në kohë dhe profesionalizmit bënë të mundur kapjen e personit, pa shkaktuar pasoja, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: L. B., 33 vjeç, banues në Kavajë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

SHKARKO APP