“Më keq s’ka”, banorët e Thumanës tregojnë tmerrin në çadra (Video)
Nëse në Tiranë dhe në qytete të tjera, era e mbrëmshme krijoi mjaft probleme dhe shqetësime te qytetarët, për banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë, situata në të cilën u gjenden ishte tejet e vështirë.
Në çadër me dy fëmijë të mitur Xhume Jangozi tregon se kushtet ku ata jetojnë janë mjaft të vështira, të ftohtët depërton brenda, ndërsa shton se ata presin më shumë nga shteti, që i ka harruar që prej 26 Nëntorit.
“Më keq s’ka, ftohtë, kena mbërdhi, me kalamajtë, kam dy djem me nuse, dhe me fëmijë. Era e fuqishme sa më s’ka, dolëm e rregullum njëçikë me gura dhe me beton. Kemi qenë në çadër që prej 27 Nëntorit, shpresa jonë e fundit është shteti, që të vëjë zemrën në dorë, shteti ishalla mendon dhe për na, se dhe na duhet të jetojmë”, shprehet Jangozi.
Pas tërmetit që goditi vendin në 26 nëntor, rreth 10 mijë qytetarë jetojnë ende në çadra, të cilat janë të papërshtatshme për të përballuar këto temperatura disa gradë nën zero që po përballon vendi në dy ditët e fundit.
Ende nuk ka asnjë plan për nxjerrjen e tyre nga çadrat, ndërsa gjithë sa kërkojnë është një strehë e sigurtë dhe e ngrohtë, të cilën mos t’ua rrezikojnë më era dhe tërmetet.