Me shumë e qëndrueshme një qeveri e opozitës se sa Albin Kurti me shtojca e bishta

Ekziston mundësia reale që Lëvizja Vetëvendosje të arrijë të formojë Qeverinë e re, por ajo nuk do të jetë e qëndrueshme më shumë se deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur zgjidhet presidenti i Kosovës, thotë në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Të njëjtin fat, sipas saj, mund ta ketë edhe ekzekutivi që eventualisht do të mund të formohej nga partitë opozitare aktuale.

“Atëherë do të përcaktohet nëse kriza e re politike, me një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin, do të thellohet dhe do të detyrojë thirrjen e zgjedhjeve të reja”, thotë Emini.

Megjithatë, ajo i sheh të mundshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe më herët.

Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Konstituimi i Kuvendit do të hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Dy partitë e mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas Donikës Emini, kanë dhënë shenja se mund të bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i cili duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje, që do t’i hapte rrugë konstituimit të plotë të këtij institucioni si dhe formimit të Qeverisë së re.

Emini thekson se situata aktuale paraqet “një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit”.

Kosovës, sipas saj i nevojitet një Qeveri legjitime, e cila duhet të zgjidhë izolimin e saj të vazhdueshëm nga BE-ja, të adresojë masat ndëshkuese nga BE-ja, të cilat janë më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – si dhe të angazhohet për heqjen e tyre.

Në raport me dialogun dhe çështjen e procesit të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Emini vlerëson se më shumë mund të japë rezultate një Qeveri e formuar nga opozita sesa nga Lëvizja Vetëvendosje shkruan REL.

SHKARKO APP