Medalje policëve dhe zjarrfikësve, Lleshaj: Pa asnjë dallim grade e hierarkie, shpëtuan jetë

Në ceremoninë për dekorimin e 11 punonjësve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe shërbimit zjarrfikës nga Ministria e Brendshme, sa i takon operacioneve të kërkim-shpëtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit ishte i pranishëm ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Të mbuluar nga pluhuri i gërmadhave ishte e vështirë të njiheshin Ardi Veliu, Tonin Vocaj, Lorenc Shehu, Sokol Bizhga, Klodian Hysa, Gjovalin Loka, Artur Duli, Gjovalin Zefi, Artur Hebaj, Endri Kraisha, Luan Kapaj apo edhe Genti, një djalë i thjeshtë shqiptar me banim në Britaninë e Madhe, që anuloi biletën për t’u kthyer atje dhe erdhi e u fut në zemër të operacionit të kërkim shpëtimit, ashtu thjesht dhe vetëm pse ndjeu një thirrje të brendshme për ta bërë këtë gjë”, u shpreh ndër të tjera Lleshaj.

Lexoni më poshtë fjalën e tij të plotë:

Besoj se për secilin prej nesh, orët e para të 26 nëntorit të këtij viti kanë zënë një vend në kujtesë, prej nga vështirë se mund të largohen më. Vetëm pak minuta pas tërmetit, jam takuar në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të PSH me Drejtorin e saj, z. Veliu dhe pas dhënies së disa detyrave të para jemi nisur për në Durrës, duke ditur vetëm një gjë: epiqendra e tërmetit ishte diku afër këtij qyteti. Në ndalesën e parë tek Shtëpia e Pushimit të MB preka tragjedinë e vërtetë. Një grup i madh studentësh ishin mbledhur në terrin e thellë afër godinës kryesore e cila nuk ishte më. Mungonte aty edhe pedagogu i tyre Bajram Hajdarmataj. Më pas filluan të shtohen informacionet. Agimi i ditës së re zbuloi pjesën më të rëndë të tragjedisë. Disa godina të larta ishin shembur, duke zënë jetë njerëzore në rrënoja. Pak minuta më vonë, u gjet edhe viktima e parë tek një pallat i rrëzuar në Lagjen 18 të Durrësit, ndërkohë që në rrënoja kishte të gjallë e të vdekur. Kishte filluar një betejë e vërtetë me kohën. Janë të pafundme përjetimet e një ditë kaq të jashtëzakonshme. Por sot dua të flas vetëm për një gjë krejt të thjeshtë. Në një kohë kur shumica absolute e njerëzve nxitonin të lidheshin me të afërmit e tyre, të rendnin drejt tyre, apo drejt një vendi të sigurtë, sa më larg zonave të goditura, për të siguruar veten dhe më të dashurit e tyre, një tjetër grup bënin ekzaktësisht të kundërtën: turreshin drejt epiqendrës së goditjes, aty ku dëmet dhe rreziku ishin në kulmin e tyre, pa pasur kohë as të mendonin për njerëzit e tyre e jo më të rendnin tek ta për ndihmë.

Këta burra e gra, prindër, bij e bija shqiptarë, që në ato çaste ekstreme rendnin në kahun e kundërt të rrjedhës së përgjithshme të njerëzve, drejt epiqendrës së rrezikut dhe të dhimbjes janë qëllimi i kësaj veprimtarie të thjeshtë sot. Jemi mbledhur këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë për këta njerëz që lanë vetëm fëmijët dhe familjet e traumatizuara në momentin kur më shumë se kurrë ishin të nevojshëm në shtëpinë e tyre dhe rendën për tek fëmijë dhe familje të tjera. Unë nuk besoj se ekziston një përkufizim i qartë për heroin, por nëse do të më duhej të bëja një propozim do të ishte pikërisht ky:

Hero është ai ose ajo që në rastin kur është më shumë se kurrë i nevojshëm për të qenë pranë familjes së tij, nxiton për të ndihmuar fëmijët dhe familjet e të tjerëve. Më 26 nëntor të tillë kishte shumë, policë, zjarrfikës, ushtarë, personel shëndetësor, nëpunës, etj.. “Jam munduar gjithmonë që familjes dhe fëmijëve të mi t’ju mësoj si ta mposhtin frikën, por kisha harruar të mësoj veten se si të mos kem frikë për ta, në momente të vështira”, shkruante ato ditë Shkëlzeni, një anëtar i RENEA-s, teksa djali i tij i vogël, i frikësuar e kërkonte ta kishte të atin në shtëpi. Me pak fjalë, Shkëlzeni ka përshkruar në trajtë dramatike dilemën heroike me të cilën janë përballur të gjithë ata që në ato minuta të rënda u kthyen shpinën familjeve të tyre.

Ky angazhim i pashoq ka qenë i vetmi ngushëllim gjatë atyre ditëve të tmerrshme. Policë, zjarrfikës, ushtarë, personel shëndetësor, të tjerë pothuajse e përgjysmuan përmasën fatale të tërmetit, duke nxjerrë nga rrënojat shumë njerëz të gjallë. Në gërmadhat e Durrësit dhe të Thumanës unë i ndoqa me respekt të gjithë. Drejtuesit më të lartë dhe punonjësit më të thjeshtë, pa asnjë dallim grade e hierarkie, u përfshinë në një përpjekje epike, duke dhënë kështu një shembull dhe mesazh të rrallë angazhimi profesional dhe qytetar, si për të na kujtuar të gjithëve se sa shumë thesare vlerash kemi në mesin tonë.

Të mbuluar nga pluhuri i gërmadhave ishte e vështirë të njiheshin Ardi Veliu, Tonin Vocaj, Lorenc Shehu, Sokol Bizhga, Klodian Hysa, Gjovalin Loka, Artur Duli, Gjovalin Zefi, Artur Hebaj, Endri Kraisha, Luan Kapaj apo edhe Genti, një djalë i thjeshtë shqiptar me banim në Britaninë e Madhe, që anuloi biletën për t’u kthyer atje dhe erdhi e u fut në zemër të operacionit të kërkim shpëtimit, ashtu thjesht dhe vetëm pse ndjeu një thirrje të brendshme për ta bërë këtë gjë. Në respekt të këtij angazhimi të madh, kam vendosur të nderoj me medalje disa pjesëtarë të operacioneve të kërkim shpëtimit. Në pamundësi për të dhënë medalje për mijëra punonjës policie apo zjarrfikës, jam kufizuar në mënyrë krejt simbolike një numër shumë shumë të vogël prej tyre, për të cilët jam i bindur se këtë vlerësim do ta pranojnë jo thjesht për vete, por në emër të të gjithë kolegëve të tyre, që pa asnjë dallim ishin njësoj. Heronj të vërtetë që shpëtuan shumë jetë njerëzore.

Respekti dhe mirënjohja që shprehim sot për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Zjarrfikës, i drejtohet edhe gjithë punonjësve të institucioneve të tjera nga Forcat e Armatosura, Shërbimi Kombëtar i Urgjencës dhe shërbimi shëndetësor në tërësi, pjesëtarëve të institucioneve shtetërore, organizatave jo qeveritare dhe humanitare, vullnetarëve të shumtë, medias, bizneseve dhe gjithkujt tjetër që përgjatë atyre ditëve të rënda u bë pjesë aktive e reagimit të madh në mbështetje të shpëtimit të jetës njerëzore.

E pafund është mirënjohja për të gjithë miqtë e shumtë nga rajoni dhe bota që erdhën në çastin e duhur, në kulmin e përpjekjeve, u futën pa u menduar dy herë në vatrën e rrezikut dhe shpëtuan shumë jetë shqiptarësh, duke demonstruar trimëri të rrallë, humanizëm të lartë dhe një solidaritet shembullor me popullin shqiptar. E njëjta mirënjohje u përket edhe qeverive të vendeve që dërguan ekipet e tyre të ndihmës dhe posaçërisht Ministrave të tyre të Brendshëm, që nuk humbën asnjë sekondë për të marrë vendimet e duhura, por as nuk vonuan aspak për të telefonuar ose për të dërguar mesazhet e tyre të solidaritetit.

Të nderuar pjesëmarrës, E kemi vonuar këtë ceremoni nderimi për arsye të ngarkesës së lartë që ju të gjithë keni në menaxhimin e pasojave të tërmetit. Tani të gjithë jemi të përfshirë në fazën tjetër e cila është rindërtimi, por edhe nxjerrja e mësimeve të duhura. Modernizimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit, me theks forcat operacionale, të cilat përherë duhet të jenë në radhën e parë të reagimit ndaj emergjencave, si dhe krijimi i kapaciteteve speciale dhe elitare në strukturat e Shërbimit Zjarrfikës janë dy prioritete madhore që do të ndiqen nga Ministria e Brendshme në të ardhmen e afërt. Duke përfunduar, më lejoni të falënderoj thellësisht të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, Shërbimit Zjarrfikës dhe strukturave të tjera të MB, të cilët duhet të ndihen sot realisht pjesë e këtij akti vlerësimi. Me këtë rast ju uroj të gjithëve gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2020! Faleminderit!

SHKARKO APP