Media e huaj: Shqipëria, destinacioni i përballueshëm evropian për një stil jetese të qetë midis detit dhe natyrës

Shqipëria, vendi bregdetar evropian, ende pak i njohur për shumë të huaj, po tërheq vëmendjen si një nga destinacionet më të përballueshme për të kaluar vitet e pensionit, sipas “Travel &Leisure”.

Ky vend i fshehtë ballkanik kombinon jetesën e përballueshme me peizazhet natyrore mahnitëse.

Sipas një raporti të ri të “International Living”, Shqipëria renditet mes 14 vendeve më të përballueshme – ku një çift pensionistësh mund të jetojnë me më pak se 1,200 dollarë në muaj, duke përfshirë qiranë, ushqimin, transportin dhe argëtimin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kosto e ulët e jetesës dhe natyrë mbresëlënëse

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky vend i Ballkanit, i njohur për peizazhet e tij natyrore dhe plazhet e mrekullueshme në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, ofron një kombinim tërheqës mes kostos së ulët të jetesës dhe një stili jetese të qetë.

Raporti thekson se komunitetet më të vogla jashtë kryeqytetit të Tiranës, ofrojnë mundësi më të përballueshme për akomodimin, si dhe akses të lehtë në bregdetin spektakolar të vendit.

Shembuj konkretë të kostos së jetesës

Sipas Norm Bour, bashkëpunëtor global i “International Living” që jeton në Shqipëri, një çift mund të përballojë jetesën me një buxhet prej 1,200 dollarësh në muaj, veçanërisht nëse zgjedh të jetojë jashtë Tiranës, pasi mbetet qyteti më i shtrenjtë në vend.

Ai thekson se çmimet e pasurive të paluajtshme ndryshojnë shumë nga një zonë në tjetrën, por në qytete dhe fshatra më të vegjël përgjatë bregdetit ose në zonat rurale mund të gjenden ende banesa me çmime të arsyeshme.

“Nëse je i gatshëm të ndash një shtëpi të madhe me akses në kuzhinë dhe një tualet privat, kjo mund të kushtojë vetëm disa qindra dollarë në muaj”, shpjegoi Bour.

Edhe për personat që preferojnë të jetojnë vetëm, qiratë mbeten relativisht të ulëta.

Një çift, për shembull, mund të marrë me qira një apartament me një dhomë gjumi në qytetin bregdetar të Vlorës, për rreth 350 dollarë në muaj.

Shpenzimet për energji dhe shërbime shkojnë rreth 75 dollarë, ndërsa për ushqim mund të shpenzojnë mesatarisht rreth 20 dollarë në ditë, shpesh duke ngrënë edhe jashtë.

Në këtë mënyrë, shpenzimet totale arrijnë dukshëm nën 1,200 dollarë në muaj.

Raporti shton se edhe në qytetin turistik të Sarandës, në brigjet e detit Jon, shumë të huaj paguajnë mes 350 dhe 450 dollarë qira në muaj.

Si të jetosh me këtë buxhet

Sipas Bour, për të rritur mundësinë për të jetuar, në Shqipëri – me rreth 1,200 dollarë në muaj mund të ndiqen disa rregulla të thjeshta:

të jetosh si vendas,
të ushqehesh si vendas,
dhe të kërkosh kontrata qiraje afatgjata.

Vende të tjera të përballueshme për pensionistët

Përveç Shqipërisë, lista e “International Living” përfshin edhe disa destinacione të tjera ku pensionistët mund të jetojnë me këtë buxhet, mes tyre Bali në Indonezi, si dhe vende si Bullgaria, Kamboxhia, Kolombia, El Salvador, Letonia, Lituania, Nikaragua, Peruja, Rumania, Sri Lanka, Tajlanda dhe Vietnami.

Raporti vjen në një kohë kur kostoja e jetesës në shumë vende është rritur ndjeshëm.

Vetëm në SHBA, shpenzimet e jetesës janë rritur rreth 25% që nga viti 2020.

Megjithatë, Shqipëria mbetet një nga vendet ku stili i jetesës së rehatshëm mund të arrihet ende me një buxhet relativisht modest.

https://www.travelandleisure.com/albania-top-retirement-spot-under-usd1200-a-month-11920781

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?