Media e huaj: Shqipëria, mes plazheve mahnitëse dhe qyteteve historike

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion që po tërheq vëmendjen e turistëve nga e gjithë bota, sipas një artikulli të botuar në blog-un amerikan të udhëtimeve “Adventurous Kate”.

Dikur e konsideruar një vend periferik në hartën turistike të Evropës, Shqipëria sot po përjeton një rritje të ndjeshme interesi nga vizitorë ndërkombëtarë.

Me një kombinim të rrallë mes plazheve me ujëra të kristalta, qyteteve me arkitekturë karakteristike osmane, maleve dramatike dhe një kulture autentike ballkanike, vendi po shndërrohet në një alternativë “serioze” për ata që kërkojnë diçka përtej destinacioneve klasike si Greqia apo Italia.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga rrënojat antike të Butrint, tek gjallëria urbane e Tiranas, ujërat turkeze të Ksamilit dhe arkitektura karakteristike e Beratit, Shqipëria ofron një përvojë të shumëllojshme që ndërthur historinë, natyrën dhe mikpritjen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një vend në zhvillim, me sfida por edhe me potencial të madh

Shqipëria mbetet një nga vendet më pak të njohura në Evropë, veçanërisht në aspektin e infrastrukturës.

Megjithatë, kjo anë “e papërpunuar” e vendit shihet nga shumë vizitorë si pjesë e aventurës.

Turizmi është në rritje, por ende nuk ka arritur nivelet e mbingarkesës që karakterizojnë destinacione të tjera mesdhetare.

Për ata që kërkojnë autenticitet dhe eksperienca më pak komerciale, Shqipëria paraqet një mundësi të rrallë.

Çmimet vazhdojnë të jenë konkurruese. Në Tiranë, një birrë kushton rreth 2,5 euro, një vakt në restorant mesatar nis nga rreth 10 euro, ndërsa akomodimi varion nga bujtina ekonomike deri tek hotelet moderne në zona si Blloku.

Tirana, kryeqyteti që surprizon

Shumë vizitorë mbeten të habitur nga atmosfera e Tiranas. Kryeqyteti shqiptar është energjik, plot ngjyra dhe me një jetë nate aktive.

Zona e Bllokut, dikur e rezervuar për elitën komuniste të udhëhequr nga Enver Hoxha, sot është një nga lagjet më moderne dhe të frekuentuara të qytetit, me bare, restorante dhe dyqane elegante.

Një nga simbolet më të diskutuara të qytetit është Piramida, ndërsa pamjet panoramike mund të shijohen nga lartësitë e ndërtesave moderne. Tirana është gjithashtu pikënisje më e mirë për udhëtime drejt veriut malor apo jugut bregdetar.

Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”

I shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati njihet për arkitekturën e tij osmane dhe shtëpitë e bardha të ndërtuara në shpatet e kodrës, që krijojnë pamjen e famshme të “një mbi një dritareve”.

Qyteti është ideal për një qëndrim të shkurtër, ku vizitorët mund të eksplorojnë kalanë, lagjet historike dhe shëtitoren që gjallërohet në mbrëmje.

Atmosfera në mbrëmje, me familjet që dalin për shëtitje dhe kafenetë e mbushura plot, ofron një pasqyrë autentike të jetës sociale shqiptare.

Riviera Shqiptare, një perlë e Mesdheut

Në jug, Saranda është shndërruar në një nga destinacionet më të kërkuara verore.

Me plazhe me guralecë dhe ujëra të kristalta, qyteti shërben si bazë për të vizituar atraksione si Butrinti, Syri i Kaltër dhe ishujt e Ksamilit.

Saranda ka lidhje të drejtpërdrejta me ishullin grek të Korfuzit, përmes trageteve që zgjasin 30 deri në 60 minuta, duke e bërë zonën lehtësisht të aksesueshme për turistët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, zona të tjera të Rivierës, si Himara apo plazhet e izoluara përgjatë bregdetit jonian, po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë qetësi dhe natyrë të paprekur.

Siguria dhe perceptimet

Pavarësisht stereotipeve të krijuara nga filma si “Taken”, Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt për turistët, përfshirë gratë që udhëtojnë vetëm.

Shumë vizitorë raportojnë se ndihen të mirëpritur dhe të respektuar, ndërsa rastet e incidenteve serioze janë të rralla.

Mikpritja shqiptare mbetet një nga elementët më të përmendura nga të huajt, të cilët shpesh shprehen të surprizuar nga ngrohtësia dhe gatishmëria për ndihmë.

Koha më e mirë për ta vizituar

Shqipëria gëzon një klimë mesdhetare me më shumë se 300 ditë me diell në vit.

Muajt qershor dhe shtator konsiderohen idealë për pushime në bregdet, duke shmangur fluksin e lartë të korrikut dhe gushtit.

Pranvera dhe vjeshta janë të përshtatshme për turizëm malor, sidomos në zonat alpine të veriut.

Megjithatë, shumë resorte bregdetare mbyllen jashtë sezonit veror, ndaj planifikimi paraprak është i këshillueshëm.

Një destinacion në transformim

Shqipëria po kalon nga një destinacion “i pazbuluar” në një treg turistik me rritje të shpejtë.

Rritja e interesit për Alpet Shqiptare, zhvillimi i turizmit dhe ardhja e nomadëve digjitalë – falë kostos së ulët të jetesës dhe faktit që vendi nuk është pjesë e zonës Shengen – po ndryshojnë gradualisht profilin e vizitorëve.

Ekspertët besojnë se me investime të mëtejshme në infrastrukturë, akomodim dhe shërbime turistike, Shqipëria mund të konsolidojë pozicionin e saj si një nga destinacionet më interesante të Mesdheut.

Për ata që kërkojnë plazhe të bukura, qytete me histori të pasur, çmime të arsyeshme dhe një përvojë autentike ballkanike, Shqipëria mbetet një zgjedhje që po fiton gjithnjë e më shumë terren në hartën turistike evropiane.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?