Mediat e Ramës sulmojnë senatorin italian. Reagon ambasadori italian në Tiranë: Nuk e tolerojmë, na keni fyer!

Mediat afër qeverisë kanë spekuluar sot lidhur me senatorin italian Pier Ferdinando Casini, i cili është një politikan i njohur edhe në Shqipëri. Gazeta Tema, gazetë krejt afër kryeministrit Rama, ka shkruar se Presidenti Meta dekoroi “një mafioz”, duke përmendur zotin Casini.

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizzio Bucci ka reaguar ashpër pas këtyre lajmeve duke i cilësuar si një fyerje dhe tejkalim i etikës gazetareke.

Në një reagim për gazetën “Tema”, Ambasadori Italian sjellë në vëmendje kontrontributin që Pier Ferdinando Casini ka dhënë për Shqipërinë.

Reagimi i plotë i ambasadorit italian për lajmet që e cilësojnë senatorin italian mafioz:  

Zoti drejtor,

në faqen web që Ju drejtoni është botuar sot një shkrim i shkurtër në të cilin është përdorur një fjalë denigruese dhe fyese, edhe pse në thonjëza, referuar kryetarit Pier Ferdinando Casini, senator i Republikës italiane.

Kryetari Casini është një figurë e lartë insitucionale italiane që, gjatë karrierës së tij të pasur në nivel kombëtar e ndërkombëtar (ndër funksionet e ndryshme që ka mbajtur përmendim atë të ish- kryetarit të Dhomës së Deputetëve dhe të Komisionit për Çështjet me Jashtë në Senat, europarlamentarit, presidentit të Internacionales Demokratike të Qendrës, kryetarit të Unionit Ndërparlamentar, profesorit universitar) i ka shërbyer gjithmonë Republikës italiane me respektin maksimal ndaj shtetit dhe institucioneve.

Polemika politike është kripa e demokracisë dhe unë, si ambasador i Italisë në këtë vend, nuk mund veçse ta vlerësoj si zhvillim pozitiv të një rrugëtimi drejt konsolidimit të institucioneve dhe të shoqërisë shqiptare.

Një rrugëtim që Italia e ka mbështetur gjithmonë që prej rënies së regjimit komunist. Por përballja politike shqiptare – edhe pse me tone të larta – nuk mund e nuk duhet absolutisht të arrijë deri në atë pikë sa të hedhë qoftë edhe dyshimin më të vogël mbi integritetin e një përfaqësuesi të lartë të institucioneve italiane sikurse kryetari Casini.

Këtë nuk mund ta toleroj tani dhe as nuk do ta toleroj në të ardhmen.

Liria e shtypit është e shenjtë dhe Italia e ka mbrojtur dhe do ta mbrojë gjithmonë. Por kjo liri nuk mund të arrijë deri në sulme personale të pabaza, për më tepër për të goditur të tjerë.

Për fat të keq shkrimi i botuar në të përditshmen tuaj bën pikërisht këtë, me një qasje që, më shumë se sa e guximshme, është një fyerje për të gjithë italianët.

Për të gjitha këto arsye dëshiroj t’ju shpreh indinjatën time të thellë, gjithë keqardhjen dhe tronditjen time, si ambasador dhe si shtetas italian, për shkrimin e publikuar në gazetën tuaj ndaj kryetarit Casini si dhe për dëmin që i është shkaktuar imazhit të Italisë.

SHKARKO APP