Mediat polake komentojnë incidentin në stadium e quajnë “Skandal”

 

Ndërprerja e ndeshjes në stadiumin “Qemal Stafa” është komentuar edhe nga mediat polake, të cilat e kanë konsideruar skandaloze ngjarjen.

“Skandal në Tiranë! Ndeshja ndërpritet pas sulmit me gurë ndaj Duda-s”, ky është titulli i portalit polak “Sportowefakty.pl”.

Ndërsa brenda në shkrim thuhet se Duda u godit me gurë nga tifozët e Kukësit dhe më pas ka dalë nga fusha e lojës me barelë për shkak të goditjes.

Po ashtu edhe “Sport.se.pl”, shkruan se ndeshja është ndërprerë nga sjellja skandaloze e tifozëve të skuadrës shqiptare.

Për ta tashmë është e sigurt fitorja në tavolinë e Legias 0-3, madje shtojnë se Kukësi me shumë mundësi do të përjashtohet dhe nuk do ta luajë as ndeshjen e kthimit në Poloni.

Në këtë portal i është kushtuar rëndësi edhe banderolave në stadium. “Loja është fundi i jetës suaj. Unë nuk jam sllav, unë jam shqiptar”, është njëri nga mbishkrimet në banderola, të cituara në këtë media.

“Sport.se.pl” shkon edhe më tej, kur shkruan se lojtarët e Legias janë ndjerë si në ferr në “Qemal Stafa” nga atmosfera e krijuar nga tifozët vendas.

Edhe nga mediat ndërkombëtare sportive, si “ESPN” thuhet se lojtari polak është goditur nga tifozët e Kukësit me gurë.

Ndërprerja e ndeshjes në “Qemal Stafa” është pasqyruar edhe nga “The Guardian”, por në ndryshim nga mediat polake, gazeta britanike nuk e cilëson se nga cilët tifozë ishte goditur.

Ndërsa më tej shkruan se lojtari polak, Duda, është fashuar dhe ka qenë i gatshëm për t’u futur sërish në fushën e lojës.

“The Guardian” përmend në shkrim edhe precedentë të mëparshëm të tifozëve të Legias, ku thotë se edhe në sezonin e kaluar të Champions League, ka pasur tensione në ndeshjen që polakët zhvilluan ndaj Celtic.

SHKARKO APP