Mediu: Gjuha e Ramës tenton t’i mbajë shqiptarët larg procesit zgjedhor

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu është takuar ditën e sotme me shtabin në qarkun e Tiranës, ku ka folur në lidhje me koalicionin opozitar.

Mediu ka thënë se përballë në këto zgjedhje është një njeri që nuk njeh normë, duke iu referuar Ramës, teksa shton që ky i fundit ka zgjedhur largimin e shqiptarëve nga Shqipëria.

Mediu: Ne kemi detyrimin që të jemi bashkudhëtarë me shqiptarët, në rrugën e shpresës, të bashkimit, për t`a kthyer Shqipërinë tek shqiptarët, për t`a kthyer qeverisjen nga duart e krimit, në duart e qytetarëve shqiptarë, nga duart e korrupsionit , në duart e ligjit. Ky është qëllimi që kemi.

Kemi përballë një njeri i cili nuk njeh asnjë normë, as njerëzore, as politike, as qytetare dhe as intelektuale, i cili spastroi Partinë Socialiste me listën e vet nga historia e Partisë Socialiste, kontributet e saj dhe kontributorët e saj, për të fuqizuar dhe kontrolluar Partinë Socialiste dhe për ta përdorur atë për interesa private.

Edi Rama ka zgjedhur vetëm një rrugë, largimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe largimin e shqiptarëve nga procesi elektoral.

Gjuha që ai përdor është një gjuhë e cila tenton për t`i mbajtur shqiptarët larg procesit zgjedhor, për t`a banalizuar politikën, për t`a kthyer atë në sharje dhe fyerje personale.

Opozita ka vetëm një detyrë, të ndërtojë marrëdhënie me qytetarët shqiptarë, prandaj është shumë e rëndësishme që fokusi i politikës sonë të jetë pikërisht ajo çka duan shqiptarët.

SHKARKO APP