Mediu krah Besnik Mustafajt: Kthim të pronës tek pronari dhe kompensim me vlerën e tregut
Gjatë takimit me shtabit elektoral të kreut të PR-së, Fatmir Mediu, mori pjesë edhe ish-ministri i jashtëm Besnik Mustafaj. Gjatë fjalës së tij, Mustafaj u shpreh ndër të tjera se Mediu është një politikan që punon me cilësi dhe me vizion.
”Shumëfishoni votat dhe bëni që mendimi republikan të jetë legjitim, të jetë i rëndësishëm në qeverisjen e nesërme. Unë kam besim të madh. Unë e shoh si punon zoti Mediu, miku im, me thënë të drejtën punon shumë, punon me cilësi sepse ne shkëmbejmë shpesh mendime dhe kur them me cilësi, punon me vizion si politikan. I bën nder sigurisht në radhë të parë Partisë Republikane, vizioni dhe përkushtimi i tij, por i bën nder edhe Shqipërisë, sepse në fund të fundit Partia Republikane është në shërbim të Shqipërisë. NëParlamentin e ardhshëm të kemi një zë republikan të fortë, bindës dhe legjitim dhe legjitimiteti përtej marrjes së mandatit, matet me numër votash”.
Kurse Mediu u shpreh se është rëndë dakord me Partinë Demokratike sa i përket çështjes së pronës. ”Ne kemi arritur tashmë me Partinë Demokratike të biem dakort në vlerësimin real të çështjes së të drejtës së pronës. Sot kemi një qëndrim të përbashkët, rivlerësim të legjislacionit për pronën, kthim të pronës tek pronari dhe kompensim me vlerën e tregut. Këto janë qëndrime të reja, jo të Partisë Republikane, por janë qëndrime të reja të së djathtës, duke e sjellë atë në binarët real të raporteve të drejta, sepse liria pa pronën nuk mund të funksionojë.
Prandaj gjithë përpjekja jonë është që të fitojë koalicioni, por të fitojë dhe Partia Republikane bashkë me koalicionin. Është shumë e rëndësishme të votojmë për numrin 9, por të kërkojmë me bindje dhe me kurajo për të votuar për numrin 7.
Po ju tha kush, pse numri 7, e thjeshtë, se 7 është Partia Republikane, e cila ka qënë në krah të Partisë Demokratike në ditë të vështira dhe në ditë të mira. Është numri 7 i cili ka qëndruar gjithë kohës krah të djathtës dhe parimeve të shenjta që i përmendi dhe zoti Mustafaj”,-tha Mediu.